PD ka reaguar në idhje me lirimin e Ermal Hoxhës, nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Deputeti Ervin Salianji, në një deklaratë për shtyp tha se lirimi para kohe i trafikiantit të kokainës, Ermal Hoxha, është provë e qartë se vendi kontrollohet nga krimi.
Sipas tij, Hoxha është liruar para kohe nga burgu pasi ka mbrojtjen e kryeministrit Edi Rama.
“ Lirimi nga burgu para kohe i Ermal Hoxhës është provë se si krimi i organizuar kontrollon vendin me ndihmën e Edi Ramës.
Shqiptarët duhet ta dinë se trafikanti i kokainës është liruar para kohe nga burgu se ka mbrojtjen direkte të kryeministrit.
Rama kështu merr në mbrojtje vëllain e tij Olsi Rama, që është ndërtuesi kryesor i laboratorit të drogës së Xibrakës. Ulja drastike e dënimit është thikë pas shpine edhe ndaj ndërkombëtarëve.
Opozita kërkon menjëherë vettingun e politikanëve për të shkëputur lidhjet e krimit me politikën,” tha Salianji.
Ermal Hoxha u arrestua gjatë operacionit në Xibrakë dhe u dënua me 6 vite e 8 muaj burg për trafik narkotikësh mbetur në tentativë.
Në Xibrakë u zbulua një laborator i sofistikuar përpunimi kokaine më 14 janar të 2015 e lajmi bëri bujë në atë kohë. Ky ishte një prej operacioneve më të rëndësishme të zhvilluara nga policia në vitet e fundit.
Ermal Hoxha bashkë me tetë të pandehurit e dosjes, përfshi edhe dy shtetas kolumbiane, u deklaruan fajtorë nga Krimet e Rënda dhe u dënuan me 104 vite burg në total.
Në nëntor 2017, Apeli i Krimeve uli ndjeshëm dënimet e dhëna ndaj tyre, pasi pranoi zbatimin e gjykimit të shkurtuar, duke i ulur çdo të pandehuri një të tretën e masës së dënimit.