Reagon ministria e kulturës/ Koncesion për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit

0
3

Përmes një reagimi për mediat, Ministria e Kulturës, ka reaguar në lidhje dhënien me koncesion të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Ministria e Kulturës thekson se fton opinionin publik dhe komunitetin e artistëve të kthejnë vëmendjen tek faktet dhe të vërtetat e prekshme të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke iu larguar dezinformimit dhe hamendësimeve të pabazuara, deri në trillime, mbi një të ardhme të TKOB jashtë strukturave të Ministrisë së Kulturës.

Pas lajmeve dhe informacioneve të publikuara në media për një plan të qeverisë Rama që pas rikonstruksionit Teatri i Operas dhe Baletit do të jepet me koncesion, ministria e Kulturës ka bërë një reagim këtë të shtunë.

Pasi akuzon për `dezinformim`, kjo ministri në reagimin e saj  nuk e mohon mundësinë e një dhënie më koncesion apo bashkëpunimi me privatin, teksa shkruan se benefitet financiare që duhet të përfitojë “shtëpia” kombëtare e artit, kërkojnë rishikime të mëtejshme të kuadrit ligjor.

“Kërkesat dhe problematikat e shprehura herë pas here si në nivel institucional, nga trupat e teatrit, ashtu edhe nga komuniteti i gjerë i artistëve, kanë vënë në dukje nevojën për të hulumtuar modele të suksesshme, për rritjen e kapaciteteve financiare, njëkohësisht me rritjen e standardeve të aktivitetit artistik dhe produksioneve të të gjitha zhanreve….Synimi i Ministrisë së Kulturës është që skena e TKOBAP të kthehet ne polin artistik referues, jo vetëm për hapësirën shqipfolëse, por edhe për vendet e rajonit. Kishte ardhur koha, që në shtëpinë e operës të ndodhte një ndryshim rrënjësor. Benefitet financiare që duhet të përfitojë “shtëpia” kombëtare e artit, kërkojnë rishikime të mëtejshme të kuadrit ligjor, që do të mundësojnë që, fondet e vetë-gjeneruara të mbeten në arkën e Teatrit, në shërbim të artistëve dhe cilësisë artistike. Si shembuj reference po merren modelet më të suksesshme të teatrove nacionalë evropianë, për të pasur një kuadër sa më të plotë të skemave të qëndrueshme. Aktualisht, të ardhurat e gjeneruara si nga biletat ashtu edhe nga përdorimi afatshkurtër i ambienteve të Teatrit, shkojnë në masën 70% në arkën e shtetit dhe vetëm 30% në atë te TKOBAP. Ministria ka qëndruar e do qëndrojë gjithmonë një institucion me dyer të hapura për debatin konstruktiv dhe gjithmonë e distancuar nga dizinformimet dhe keqinterpretimet e fakteve”, thuhet mes të tjerave në deklaratën e ministrisë së Kulturës.