Reagon Patozi, pas lajmit se Jozefina Topalli do të jetë me parti të re:”Je ndër personalitetet më të forta të PD-së,mos humb kohë kot”

0
2

Ish-deputeti i PD-së, tashmë kryetar i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi reagon pas lajmit se Jozefina Topalli ka vendosur të jetë pjesë e një lëvizjeje të re politike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Patozi thotë se “Jozefina mund të bëjë çfarë të dojë”, qoftë parti, lëvizje apo aleancë, pasi është në të drejtën e saj dhe të Zotit. Por ai i jep vetëm një këshillë, që për “një ndër personalitetet më të forta të PD-së ndër vite”, do të ishte humbje kohe.

Shkrimi i plotë i Patozit:

THJESHT DUHEN INJORUAR, JOZEFINA!

Mund të bësh çfarë të duash Jozefina, parti, lëvizje, shoqatë, grupim, koalicion, aleancë etj dhe je në të drejtën e Zotit. Edhe në të drejtën tënde, sigurisht, si një ndër personalitetet e forta të Partisë Demokratike në vite, por edhe të së djathtës në përgjithësi.

Vetëm një gjë do ta kisha këshilluar modestisht të mos e bëje: që të humbje kohë, duke u marrë me stalinistët e fundit në Europë, të cilët veçse të bëjnë nder duke të sulmuar.

Nuk pretendoj t’i njoh sa duhet ish-republikat e largëta sovjetike sot, por jam i sigurt se në kontinentin tonë nuk gjenden të dytë si këta shakaxhinjtë e Republikës së Re.

Ata e dinë se opozita është pronë dhe ti je duke i hyrë në oborrin e tyre, ndaj dhe kanë frikë se mund t’u marrësh ndonjë copë. Nuk kanë faj, se të tillë e kanë parë shembullin nga i pari i tyre në gjithë këto vitet e fundit. Por tek e fundit, janë të siqertë në këtë çështje.

Edhe në Shqipëri nuk kanë mbetur të tjerë që ta mendojnë politikën kaq vjetërsisht sa këta. Madje as tek ata që trashëguan Partinë e Punës, që përmbysëm në 1990-ën. Të cilët janë aq të mençur sa të mos e konsiderojnë tradhtar Ilir Metën, megjithëse ka më se 15 vjet që po ua nxin jetën, sepse me sa duket e kanë mbledhur mendjen që jetojmë në një sistem të ri, edhe pse nuk e kanë dashur, madje ende mund të mos e duan.

Që të mos zgjatem me këtë temë të pakëndshme, këta janë të vetmit “pronarë” në botë, që tërbohen pasi marrin vesh se personi, që kanë larguar nga ndërmarrja e tyre, ka mundur të gjejë një punë tjetër.

Dhe si unikalë që janë në marrëzinë dhe injorancën e tyre, ata duhen mëshiruar dhe injoruar.