Studentët kanë përshkallëzuar protestën përpara kryeministrisë. Tashmë studentët janë ndarë në grupe për të bllokuar rrugët kryesore.
Ata kanë marrë vendim për t’u zhvendosur tek kryqëzimi i “Zogut të Zi” dhe te zona e “Dollarit” janë duke përshkuar mespërmes sheshin ‘Skënderbej”.
Menjëherë pas përshkallëzimit të protestës nga ana e studentëve duke bllokuar rrugët, kryeministri Edi Rama ka thyer sërish heshtjen.
Përmes një postimi në ‘Tëitter’ Rama pyet me ironi ata që sipas tij i ka mësuar Kryemadhi dhe Basha që të bllokojnë rrugën, se çfarë borxhi i kanë qytetarët.
“A mund t’ju pyes juve që ju mësojnë Doktorresha dhe Artisti të bllokoni rrugët e qytetit e dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e Dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan Dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë?”, shkruan Rama.
Në orën 14:20, ashtu siç e kishin paralajmëruar më herët, protestuesit të stacionuar tek Kryeministria, u ndanë në tre grupe, ndërsa në shenjë përshkallëzim për mosplotësimin e 8 kërkesave të tyre, duke bllokuar tre pika kyçe në Tiranë. Disa prej protestuesve u nisën drejt Bankës së Shqipërisë, disa të tjerë tek Zogu i Zi dhe disa të tjerë tek kryqëzimi afër Kryeministrisë. Ende nuk dihet afati se sa do të qëndrojnë të bllokuara këto rrugë.