Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, me anë të një postimi në rrjetin e tij social ‘Facebook’, ka ngritur shqetësimin e furnizimit me ujë në këtë valë të temperaturave të larta.
Sipas deputetit Leskaj, me dhjetëra e mijëra familje në qytetet kryesore, ankohen për mungesë furnizimi me ujë.
Reforma në sektorin e ujit të pijshëm, e riaktivizuar me bujë nga sekti në qeverisje vitin e kaluar dhe këto shtatë muaj të këtij viti, nuk ka dhënë asnjë rezultat.
Pasi ka më shumë se tre vjet që me të gjithë pushtetin vendor në duar, Rama dhe qehallarët e tij vendorë i keqmenaxhuan ndërmarrjet e ujësjellësave në të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke i keqpërdorur si rezervuarë votash dhe fole patronazhistësh, me punësime sezonale dhe me kontrata pune të përkohshme, që pastaj mbylleshin sa largohej periudha e zgjedhjeve, tani Lideri global po kërkon të luajë reformatorin, ndërkohë që i ka lënë këto ndërmarrje në prag falimentimi.
Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Ujit https://www.erru.al/doc/Raporti_Vjetor_2021.pdf, 64.7% e totalit të ujit që hidhet në rrjet është pa të ardhura. Me shumicën e ujit të ofruar abuzohet, ndërkohë që me dhjetëra mijëra familje në qytetet kryesore, Tiranë, Vlorë, Durrës, Shkodër, Fier, etj., ankohen për mungesë furnizimi me ujë në këto ditë me temperatura afër 40 gradë, ose furnizim me ujë një herë në ditë pa presion, me pompat të paafta për të mbushur depozitat e qytetarëve.
Tejet shqetësuese është situata edhe për mbulimin me kanalizime, ku rezulton i mbuluar vetëm 51.9% e territorit. Kjo shifër qëndron e ankoruar në nivelet 45-50 përqind prej më shumë se një dekadë, kurse treguesi që ka pësuar përkeqësim është mbulimi i kostove. Ndërkohë, kohëzgjatja e furnizimit me ujë mbetet në të njëjtin nivel me atë të vitit 2020.
Me këta tregues, reforma e ujit përfaqëson thjesht një butafori dhe mashtrimin e radhës për sektin Rama, pasi asgjë nuk është bërë për të përmirësuar kohëzgjatjen e furnizimit me ujë për qytetarët, madje në disa rrethe dhe qytete kryesore kemi përkeqësim./ Burimi: Faqja zyrtare e Bujar Leskaj në Facebook.