Reforma Territoriale/ Flet Sekretari i PD: Do kërkojmë deri në 90 bashki asimetrike dhe 5 rajone

0
58
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

MARIGLEN KUME/ Ndonëse nuk kanë përfaqësues në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale, grupi i Partisë Demokratike që udhëhiqet nga Sali Berisha janë drejt përfundimit të propozimit të tyre për ndarjen e re territoriale.

Ndonëse janë të ndarë në qëndrimet për drejtimin e partisë, demokratët duket se janë në një linjë sa i takon reformës së re territoriale. Njësoj si bashkëkryetarja e komisionit parlamentar për këtë reformë, Dhurata Çupi, edhe sekretari për pushtetin vendor në selinë blu, pasi kanë përfunduar shqyrtimin e qëndrimeve të ekspertëve mendojnë se 90 bashki do të siguronin ofrimin e shërbimit më të mirë për qytetarët. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ylli Asllani shtjelloi idenë e bashkive asimetrike.

Sipas tij, në bashkitë qendrore të mëdha natyra e shërbimeve që mund të japin të jetë më e gjerë, ndërsa në bashkitë më të vogla të natyrës rurale të jetë i kufizuar shërbimi që japin. Po ashtu, ai tha se do duhet ndryshuar edhe zgjedhja e këshilltarëve, pasi me emërim, siç bëhet aktualisht, nuk funksionon. Por ndryshimi i hartës me bashkitë nuk është i vetmi ndryshim që do kërkohet nga opozitarët, Asllani tha se ka ardhur momenti që të formohen rajonet. Sipas përllogarive të tyre bëhet fjalë për 5 rajone, një prej tyre të jetë Tirana si metropol. Gjatë intervistës, sekretari i PD-së jep edhe shpjegimin se përse shkojnë në numrin 5 rajone.

  1. Asllani, në Partinë Demokratike është ngritur një grup pune për të përgatitur një draft për reformën territoriale, e keni gati versionin tuaj?

Në PD ka kohë që është ngritur një grup pune me specialistë të pushtetit lokal, që kanë hedhur në letër tashmë një draftprojekt për një rishikim të ndarjes territoriale administrative të Shqipërisë. Janë marrë të gjitha opinionet. Ne nuk kemi dashur të mendojmë se kjo është një shkrepje fotografie e situatës së sotme dhe vendosja e disa penelatave mbi të, por kemi marrë të gjitha studimet e bëra në Shqipëri që nga viti 2010 dhe më pas i kemi përshtatur me zhvillimet e njëpasnjëshme. Jemi në pritje të rifiniturës përfundimtare dhe presim përgjigjet nga degët e PD-së në rrethe. Me afrimin e ditës së madhe, të shpalljes së zgjedhjeve vendore, besoj se do kemi draftin e plotë.

Keni konkluduar nëse do duhen më shumë bashki sesa është numri aktual?

Duhet të jemi të qartë se nuk jemi futur në këtë projekt për të shpallur dështimin vetëm të projektit të 2014. Tashmë, ai projekt ka dështuar dhe e pranon edhe vetë Partia Socialiste. Thelbi i atij projekti ishte që duke zvogëluar numrin e bashkive, do nxirrnim bashki më eficiente. Kjo ka rënë. Ajo që mendohet tani është që bashkitë qëllim kryesor të tyre kanë shërbim ndaj komunitetit. Duhet një qeverisje vendore më pranë qytetarit. Qytetari duhet të jetë i siguruar me shërbime cilësore dhe të afërta. Në këtë koncept nuk ishte qëllim në vetvete që të shtonim numrin e bashkive, por ne kemi dërguar shumë pyetësorë dhe kemi bërë një punë të madhe dhe intensive, kemi konstatuar kërkesat e shumë komuniteteve të braktisura. E meta më e madhe e projektit aktual ka qenë shpopullimi i vendit.

Nëse nuk do të bësh analiza, por do të kuptosh se si ka qenë ky projekt, shiko shpopullimin e vendit. Ka lidhje të drejtpërdrejtë sepse krahina të tëra janë zhveshur nga përkrahja sociale, nga subvencionet, nga shërbimet për komunitetin dhe ne synojmë që në mos 100%, por në një përqindje të madhe t’ua rikthejmë krahinave. Demokracia merr vlerë kur është e njëjtë në të gjithë territorin. Kjo është arsyeja që neve na rezulton që të kemi një numër që pak a shumë ka fituar një qytetari. Ne kemi punuar shumë me shoqatën e bashkive, me shumë shoqata të ndryshme. Kemi punuar edhe me ata që në kuptimin ideologjikisht nuk kemi pasur shumë afërsi.

Për koincidencë, të gjitha studimet të çojnë te një numër 80-90 dhe nëse do ishim më liberalë shkon edhe 120. Por te 90 bashki shkon numri. Unë s’dua të jap një numër përfundimtar se janë një seri komunitetesh si Orikumi, Leskoviku, Ksamili e Dukagjini që kërkojnë. Ka edhe ide të tjera që mendohet pse të mos i mbajmë në sensin e zhvillimit turistik komunat që nga koha e Skënderbeut. Dukagjini mund të jetë një bashki apo Frashëri, që është faltorja e rilindjes kombëtare. Pavarësisht numrit të popullatës, por në konceptin e nxitjes së zhvillimit kulturor nuk ka asgjë të keqe që të marrë statusin e një bashkie të vogël, do nxisë zhvillimin në një zonë nga më të bukurat e Ballkanit. Por aktualisht është e braktisur.

A ka staf të kualifikuar në këto zona?

Projekti ynë është një projekt i hapur. Jemi për bashki asimetrike. Bashkitë asimetrike janë një formulë që e përqendrojnë teknikën e lartë të menaxhimit të territorit të nxitjes së fuqishme ekonomike, në bashkitë që kanë kapacitete njerëzore, kanë intelektualë. Nga ana tjetër, shërbimet e përditshme, pastrim gjelbërim, vaditja, kullimi, që janë profile të bashkive rurale, specializohen në ato që janë më afër shërbimeve të komunitetit.

Nëse do thoshim ne që një qytetar që banon në një fshat, ai mund të mos ketë afër shërbimin thelbësor urbanistik, sepse ky shërbim do njerëz të kualifikuar, zyra, por për të hapur një derë, një dritare, në këtë rast një bashki nën bashki e realizojnë me administratën përkatëse. Kjo mendoj unë është një nga zgjidhjet më të mira që bashkon edhe një logjikë nxitëse efikasiteti. Në konceptin e shumë qytetarëve të interesuar për pushtetin lokal. Këtu s’është çështja e numrit të bashkive problemi i vetëm. Problemi më i madh është funksionimi i demokracisë lokale. Funksionimi i demokracisë lokale është përfaqësimi i qytetarëve në vetëqeverisjen vendore.

Është transparenca që merret në ndryshimet që qyteti apo fshati apo territori merr në dobi të qytetarëve. Këto i ka goditur reforma e kaluar, i ka goditur rëndë. Për arsye se kryetari i bashkisë dhe 20 këshilltarë që s’kanë lidhje me të gjithë territorin nuk arrijnë dot të përçojnë dot idetë e qytetarëve dhe interesat e tyre. Demokracia lokale nuk është një formulë. Është një instrument i përmirësimit të qeverisjes vendore. Kjo është goditur këtu. Njësitë administrative që janë krijuar pas reformës së kaluar janë kthyer në sportele të qeverisë qendrore. Nuk punojnë njerëz të zgjedhur, por janë militantë. Kemi një ndarje të madhe klasore.

Do jetë e njëjta faturë ekonomike edhe nëse do të realizohet rritja e numrit të bashkive? Do jetë i njëjti buxhet për pushtetin lokal?

E them pa më të voglën mëdyshje që shpenzimet do jenë më të ulëta. Sa më transparent të jetë përdorimi i findeve dhe sa më i hapur të jetë një bashki ndaj përdorimit të parave publike, aq më shumë kursejmë. Këto bashki janë kthyer në kazerma që mbushen me njerëz që s’është e nevojshme. Në ujësjellës s’është e nevojshme që të ketë aq shumë njerëz. E dyta është se ky projekt që ne po ofrojmë, angazhon edhe financa publike. Nuk mundet që ti t’u besosh shërbimet e bashkive pa i mbështetur financiarisht. Jo t’u japësh para, por atë që u takon nga PBB. 1% të PBB marrin bashkitë, por problematikat që përballojnë është e barabartë me qeverinë qendrore. Në këtë aspekt, ato taksa që paguajnë njerëzit i kemi parashikuar që të jenë disi të ndara. Të jenë më afër kontrollit dhe transparencës me qytetarët. Do kemi mandate të mbuluara financiarisht.

  1. Asllani, do të qëndrojë projekti juaj në 12 qarqe apo është më mirë ndarja në rajone dhe keni menduar për numra?

Shqipëria, edhe si pjesë zyrtare e BE-së në kuptimin që i gjithë programi i saj është atashimi i projektit të përbashkët evropian, ka qenë që në fillim i interesuar për rajonet. Nëse më përpara mendohej se qarqet do ta luanin këtë rol, koha ka treguar se ato kanë dalë dhe fuqizimi i idesë së një qeverisje të drejtpërdrejtë si bashkitë, zuri më shumë vend. Në këtë aspekt, duke qenë se bashkitë morën kompetenca më të mëdha, atëherë natyrshëm lindi e nevojshme që rajonet ta zmadhojnë territorin e tyre për t’u marrë me projekte më të mëdha dhe makro qoftë në nxitjen e zhvillimit ekonomik, qoftë edhe në disa projekte që bashkojnë shumë bashki. Janë projekte ndërkomunale. Një ujësjellës i madh mund të jetë një basen i tërë.

Nxitja e infrastrukturës në dobi të zhvillimit kërkojnë një vizion përtej bashkive. Ideja jonë ka qenë mbi bazën e baseneve që kanë një lloj trashëgimie komunitetet. E dyta është që ideja për të nxitur një traditë ekonomike të hershme që ka qenë për shembull basene të tëra, ose komunitete të tëra që janë të prirura drejt prodhimit të djathit apo të qumështit. Jugu për shembull shquhet për këtë. Korça, Pogradeci, Erseka, Elbasani janë një basen tjetër. E treta është nxitja e zhvillimit ekonomik. Po shikojmë që gradualisht vështrimi po shkon drejt detit. Jemi munduar që të gjitha rajonet të kenë një dalje në det përveç Korçës apo Pogradecit. Nëse do flitet për numër, ne synojmë në 4 rajone të mëdha dhe një rajon qendror, që është metropoli i Tiranës. Kjo na siguron atë pjesë të vetëqeverisjes së rajonit, paralel ecën edhe ideja që nga 5 të jetë edhe 6 rajone.

Keni pasur komunikim me pjesën tjetër të grupit të PD, që janë me përfaqësi në komisionin e posaçëm?

Ne nuk e kuptuam këtë daljen e tyre më vete kaq shpejt dhe duke u futur në një komision të reformës territoriale pa një lloj etike shoqërore. Këta nuk përfaqësojnë të gjithë demokratët që vajtën e zunë vendin e të gjithë demokratëve. Këtu ka një pikëpyetje. Ajo që unë dhe PD mendon se është e drejtë është që neve nuk duhet të na lidhin individët, por projektet. Ne po paraqesim projektin tonë, ata po punojnë për një projekt tjetër. Ne jemi shumë të disponueshëm që projektin tonë ta paraqesim në një tavolinë me projektet e tyre. Pastaj është logjika e deputetëve dhe ndoshta një këndvështrim që nuk ka të bëjë me partitë më tepër sesa ka të bëjë me legjislativin.

Zjarr Tv Ad