Humbja ndaj Turqisë i ka kushtuar shtrenjtë kombëtares shqiptare të futbollit. Kuqezinjtë e drejtuar nga dyshja, Sulejman Mema-Ervin Bulku kanë rrëshkitur me një pozicion nga muaji i shkuar, teksa gjendet në vendin e 62-të në klasifikimin e FIFA-s. Fitorja 3-0 ndaj Andorrës nuk ka rritur aspak në pikët e kombëtares sonë, e cila numëron 1372 pikë në klasifikimin e përgjithshëm.
Ngjitje për kombëtaren kosovare, e cila pas barazimeve me Danimarkën dhe Bullgarinë gjenden në vendin e 127-të, tre pozicione më lart se një muaj më parë.
Përfaqësuesja e drejtuar nga Bernard Challandes numëron 1124 pikë, +11 më shumë se në muajin shkurt. Asnjë ndryshim në tre vendet e para, me Belgjikën që kryeson me 1737 pikë, kundrejt 1734 të Francës dhe 1676 të kombëtares së Brazilit. “Top 10” plotësohet nga kombëtare si Anglia, Kroacia, Uruguaj, Portugalia, Zvicra, Spanja dhe Danimarka.