Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka zhvilluar dje takimin e parë si ministër ku ka marrë pjesë në Samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe vendeve të Ballkanit që u zhvillua në Bukuresht në kuadër të presidencës rumune të Këshillit të Ministrave të BE-së.
Megjithatë në këtë takim nuk kanë munguar as momentet pikante, dhe një nga këto duket se ka qenë takimi i Cakajt me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç.
Ka qenë kreu i diplomacisë serbe që ka thumbuar duke thënë se përse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë, duke nënkuptuar edhe prezencën në takim të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behxhet Pacolli si dhe faktin që Cakaj është me origjinë nga Kosova.
“Pse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë? Ky është një provokim i rëndë që na bëhet nga ministri i jashtëm Edi Rama”, ka thënë Daçiç.
Por nuk ka munguar as replika e Cakajt, duke i thënë se “nuk ka dy pa tre” dhe se duhej të ishte skandalizuar më herët.
“Në fakt zoti ministër ju duhet të ishit skandalizuar më parë, sepse Kosova i ka pasur dy, dhe ka një fjalë që thotë nuk ka dy pa tre! Ju jeni nga Prizreni apo jo, por përfaqësoni këtu Serbinë, ndërsa unë po jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë!”, i tha Cakaj-Daçiç.