Republika e Turqisë e gatshme t’i ofrojë mbështetje Kosovës në fushën e sigurisë

0
6

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, i shoqëruar nga drejtori i Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Fadil Kodra, kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, ku janë pritur nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, i Turqisë, Muhterm Ince.

Sipas njoftimit për media në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, sidomos për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe u vlerësua së të dy shtetet do të vazhdojnë bashkëpunimin në realizimin e prioriteteve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar.

Gjatë kësaj vizite zëvendësministri Shkodra, takoi shefin e Policisë Turke,  Mehmet Aktaş. Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e mirë mes dy policive të dy shteteve dhe u theksua se kjo traditë e mirë e bashkëpunimit të do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në njoftim thuhet se në fund të vizitës zëvendësministri Shkodra vizitoi Akademinë e Policisë së Turqisë, ku u prit nga drejtori i Akademisë, Yılmaz Çolak.

Gjatë takimit u bisedua për trajnimet ndërkombëtare dhe aktivitetet e bashkëpunimit dypalësh, midis Akademisë së Turqisë dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.