Në një kohë kur të gjithë energjitë qeveritare janë përqëndruar për të prishur kioskat në bregdet, plazhi i Himarës, një prej perlave të Shqipërisë, po vijon të ndahet e çahet mes grupeve që kanë lidhje të forta me maxhorancës, nëpërmjet dokumentave të dyshuar të falsifikuar, apo me vendime të kontestueshme qeveritare. Një përplasje e fuqishme po zhvillohet për një truall në zonën e Jalës, ku nga njëra anë janë familjarë të Damian Gjiknurit dhe nga ana tjetër shoqëria “Soleil and Sea”, e cila ka fituar statusin e investitorit strategjik në mënyrë të dyshimtë. Më konkretisht, kompania “Andi” shpk, në pronësi të djalit të xhaxhit të deputetit të fuqishëm socialist, Damian Gjiknuri, është duke ndërtuar një strukturë shërbimi 3 kate, me dy kate nëntokë dhe pishinë, në zonën e Jalës. Ky ndërtim po ngrihet në tokën e familjes Mëhilli, për të cilën ka pasur më herët dyshime për sasinë e sipërfaqes dhe që nuk janë ndjekur ligjërisht nga strukturat shtetërore dyshimet për falsifikime.
Bazuar në të dhënat e siguruara nga “Syri TV”, rezulton se gjykata e Vlorës, me vendimin numër 1859, datë 15 Korrik 2013, i ka njohur familjes Mëhilli dy sipërfaqe toke, njëra 6800 metra katrorë dhe tjetra 1800 metra katrorë në zonën e Vunosë, në Jalë. Ky vendim nuk është ankimuar nga ish-Hipoteka e Vlorës, sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës, pavarësisht se ekzistonin të dhëna dokumentare për të ngritur dyshime mbi qëndrimin e gjykatës. Më saktësisht, në vitin 1991, kur është ndara toka bujqësore, ish-trashëgimtari Lilo Mëhilli figuron në gjendje familjare si person i vetëm. Referuar përcaktimeve të ligjit “Për tokën”, të ndjerit Lilo Mëhilli i takonin vetëm 3600 metra katrorë, aq sa ishte e përcaktuar për çdo individ. Pra, sipas vendimit të Gjykatës së Vlorës të vitit 2013, trashëgimtarëve të familjes Mëhilli i janë njohur 8600 metra katrorë, pra rreth 5000 metra katrorë më shumë se sa duhet të përfitonte i ndjeri Lilo Mëhilli në vitin 1991. Mbi këtë sipërfaqe toke, për të cilën kanë ekzistuar dyshime mbi dokumentat e pronësisë, tashmë është duke ndërtuar hotel i pashqetësuar kushëriri i Damian Gjiknurit. Ndërkohë mbi një pjesë të kësaj sipërfaqejeje ka pretendimet edhe kompania “Soleil and Sea”, e cila ka fituar statusin e investitorit strategjik, për realizimin e projektit “Jala Entertainment Park”. Në 1 Gusht 2019, projekti ka fituar statusin e veçantë, nëpërmjet Vendimit 20/5 të Komitetit të Investimeve Strategjike.
Ky komitet drejtohet nga zv.kryeministri Erion Braçe dhe në përbërje të tij janë gjysma e kabinetit Rama, përfshirë ministrat përgjegjës për Financat, Turizmit, Infrastrukturës, zhvillimit urban, Bujqësisë e Mjedisit. Ky Komitet ka pranuar projektin me vlerë të deklaruar 67 milionë euro, për ngritjen e resortit “Jala Park”. Por, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka vënë pikëpyetje të mëdha mbi vendimmarrjen e Komitetit të Investimeve Strategjike për investimin “Jala Entertainment Park” Në Janar 2020, ish-kryekontrollori Bujar Leskaj, i rendit shkeljet në miratimin e këtij projekti Drejtorit të Agjenisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Sokol Nanos, djalit të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili është përgjegjës për ndjekjen e zbatimit të vendimit të investimeve strategjike.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, ngre së pari dyshime mbi financimin e projektit gjigand prej 67 milionë euro për resortin në Jalë. Sipas auditit të KLSH-së, në dosjen e Komitetit të Investimeve Strategjike, nuk ka një vërtetim konkret për sigurimin e fondeve për realizimin e projektit. “Në fakt, në dosje ekziston vetëm një konfirmim bankar, lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë, i cili konfirmon se kompania “Soleil and Sea” është klient i konsideruar me reputacion të mirë për bankën dhe se banka është e gatshme të financojë çdo kërkesë të këtij klienti, me kusht që të përmbushen kriteret e parashikuara në politikat e kredidhënies”, konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Por, sipas audituesve shtetërore, nuk ekziston asnjë plan konkret se si ky investitor ka siguruar burime të besueshme financiare për këtë investim, kur në fakt bilancet financiare të të dy kompanive nuk paraqesin të ardhura apo kapitale, të cilat mund të justifikojnë një investim të tillë. Po ashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit, konstaton se në dosjen e “investitorit strategjik”, nuk ekziston asnjë marrëveshje konkrete me bankat, të cilat kanë studiuar planin e biznesit dhe të kenë marrë një vendim pozitiv për financimin e projektit. Në vijim, kontrollorët shtetërorë kanë zbuluar se subjekti “Soleil and Sea” nuk ka plotësuar kushtet, kapacitetet dhe kriteret ligjore për të përfituar statusin e investitorit strategjik.
Dokumentat e konsultuar dhe të mbledhur nga Grupi Operacional i Komitetit të Investimeve Strategjike kanë të dhëna, “të cilat nuk janë në përputhje me statusin real të pronës, i pavërtetë dhe në shkelje të ligjit”, konstaton më tej Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në përfundim të auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Këshillit të Ministrave, për të revokuar statusin e investitorit strategjik për projektin “Jala Entertainment Park”. Nuk ka të dhëna publike nëse ky rekomandim është marrë në konsideratë nga Këshilli i Ministrave. Megjithatë, kjo situatë dëshmon se mes peshave të rënda të Rilindjes ekziston përplasje për mënyrën se si do të ndahet bregu i mrekullueshëm i Jalës dhe më gjerë. Në rastin e trajtuar në këtë kronikë, përballë njëri-tjetrit gjenden interesa të familjarëve të Damian Gjiknurit dhe Komiteti i Erion Braçes. Natyrisht, kjo përplasje nuk ka asnjë lidhje me aksionet e përqëndruara të policisë për heqjen e kioskave dhe shezlonëve në plazhet shqiptare.