Pas fjalimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, kolegu i tij nga LDK, Shkëlzen Hajdini, ka kërkuar replikë me pretendimin se i është përmendur emri. Ka qenë nënkryetarja, Arbërie Nagavci, që nuk i ka dhënë fjalën Hajdinit, pasi pyeti Hysenin nëse i ka përmendur emrin e tij, apo i është referuar fjalimit.
Po i besoj atij Hysenit, ka qenë arsyetimi i Nagavcit, që është dëgjuar në mikrofon. Por një “Mos fol pa lidhje” e saj, nuk është dëgjuar jashtë Kuvendit, për të cilën ka reaguar Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Kur ulesh në pozitën e kryetares, je mbi palët dhe nuk mund t’i drejtohesh njërës palë se po e thotë të vërtetën ose jo, duke u bazuar në filanin, që është i partisë sime. Do të lutesha të jesh e kujdesshme. Nuk e kemi asnjëra palë të qartë, se cila mund të jetë e vërteta”, është shprehur Gashi.
“Ndoshta ishte gjuhë e pavullnetshme nga ana juaj, the “mos fol pa lidhje”. Nga foltorja e kryetares së Kuvendit, nuk mund të thuhet ajo, bën mirë të kesh kujdes”. Ka qenë Nagavci që ka dalë në foltoren e deputetëve, duke thënë se; është ajo që respekton rregulloren e Kuvendit.
“Pas fjalës së Alban Hysenit, Shkëlzen Hajdini tha se “më është përmendur emri” dhe e ndërpreva fjalën e ministrit, sepse e pyeta atë nëse e ka përmendur emrin e deputetit Hajdini, apo i është referuar fjalimit”. “Për të qenë korrekt, marr përsipër që të shoh tërësisht transkripitin, se kush e ka thënë të vërtetën”.
Edhe deputetja e LDK-së, Vlora Limani-Hajnuni, i ka kërkuar Nagavcit që të ketë kujdes derisa drejton seancat.