Djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja mbetet sërish në burg. Gjykata e Apelit në Tiranë e ka lënë në burg 24-vjeçarin Rexhep Rraja, ndërsa ky i fundit kërkonte lirinë. Rraja nuk merrte pjesë në seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Ilir Murati.
Në seancën që zgjati më shumë se një orë, avokati Ilir Murati paraqiti provat për lirimin e djalit të deputetit, por Gjykata e Apelit ka rrëzuar pretendimet duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Krujës.
“Pas përfundimit të seancës, avokati tha se vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është i ligjshëm dhe gjykata është nën presion mediatik dhe politik.
“Masa e arrestit nuk është e ligjshme. Gjykata është nën presion. Xhisiela ka bërë tre deklarime dhe më pas e mohon. Pra klienti im duhet të jetë i lirë. Në këtë rast duhet përgjegjësi penale ndaj personit qe ka bere kallezimet dhe me pas tërheqjen e tyre. Klienti im nuk u largua dhe nuk shkon në burg vullnetarisht, por kur kryen një vepër penale. Media me politikën politizoi çështjen”- tha avokati.
Ndërkohë gjatë seancës, avokati mbrojtës i Rrajës pohoi se denoncimi nga Xhisiela Maloku është bërë për motive xhelozie dhe se nuk ka të bëjë fare me përndjekje. Sipas Muratit, vepra penale e përndjekjes nuk qëndron.
“Vepra penale e përndjekjes nuk qëndron. Të shfuqizohet vendimi i gjykatës së Krujës. Të bëhet lirimi i klientit tim Rexhep Rraja. Xhisiela e ka bërë kallëzimin për xhelozi. Rexhepi u arrestua nga presioni politik dhe ka nënën shumë sëmurë”- tha Murati.