Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot për të miratuar rezolutën për mbështetjen e sovranitetit dhë tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Elisa Spiropali është shprehur se Europa është sot më e bashkuar dhe më e vendosur, teksa Ukraina po bën sot luftë për të gjithë njerëzimin.
Pjesë nga fjala e Spiropalit në Kuvend:
Ajo që askush nuk e mendonte as si mundësi të largët ndodhi dhe po vazhdon të ndodhë tashmë. Në Evropën e lirë, një shtet i pavarur, sovran dhe demokratik u sulmua nga një shtet fqinj, pa asnjë paralajmërim. Agresori ka një emër të vetëm, Vladimir Putin, presidenti i Federatës Ruse. Pamjet dramatike nga Ukraina po sillen nga mediat. Për ne shqiptarët, këto pamje zgjojnë kujtime të dhimbshme, kur regjimi kriminal i Millosheviçit dërgoi tanke, ushtarë. Atëherë, NATO, SHBA, u vu në një front të vetëm. Në Kosovë Nato dhe UÇK luftuan që Kosova të ishte teatri i fundit i luftës që duhet të ndodhë në Evropë.
Lufta po bëhet në Ukrainë, por ajo ka prekur gjithë botën. Është një sulm mbi demokracinë dhe vlerat e përbashkëta. Këto ditë kam parë edhe fëmijë shqiptarë që solidarizohen duke çuar ndihma për bashkëmoshatarët e tyre në Ukrainë. Pasojat e acarta të kësaj lufte po ndihen në ekonominë botërore, në rajon dhe në ekonominë shqiptare. Sot Ukraina në front me perëndimin demokratik po bën luftë për të gjithë njerëzimin. Kjo luftë po bëhet shkak për atë që s’mendohej 10 ditë më parë, rilindja e Evropës. Sot po shohim një Evropë të bashkuar, të vendosur. Sot gjithkush ka kuptuar se kufijtë lindorë të Evropës janë në Ukrainë.
Sot është momenti më i mirë që kontinenti ta bëjë Evropë-Ballkanin. Vetëm demokracia e shndërroi Evropën e vjetër në një qendër rëndese. Ukraina është sot leksion i madh. Shqipëria i është bashkuar sanksioneve financiare dhe do të jemi dakord për çdo përshkallëzim të tyre.