Policia Kufitare godet një tjetër rast të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi dhe të kontrabandës me mallra që paguhet akcizë.
Uniformat blu kanë bërë të mundur sekuestrimin e 80 mijë euro, 2900 jen kinez, si dhe 76.000 lekë.
Gjithashtu gjatë kontrollit ju gjetën dhe u sekuestruan edhe 9 steka paketash cigare pa pullë fiskale.
Mësohet se është kapur në flagrancë një shtetas kinez për “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Policia Kufitare e Rinasit në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Masave të përbashkët me Degën e Doganës Rinas, kanë ushtruar kontrolle të përbashkëta në pasagjerët e linjave ajrore me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Si rezultat i kontrolleve është përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë shtetasi kinez J. L., 43 vjeç, lindur në Kinë dhe me banim të përkohshëm në Tiranë (me leje qendrimi), të cilit gjatë kontrollit në bagazhin e dorës dhe në trup ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 80 mijë euro, 76.000 lekë dhe 2900 jen kinez.
Po gjatë kontrollit në bagazhet e dorës ju gjetën edhe 9 steka me paketa cigaresh pa pullë fiskale.
Shtetasi J.L, në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, parashikuar 179/a i Kodit Penal.
Gjatë vitit 2018 janë evidentuar dhe goditur 13 raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi.