Edhe pak ditë na ndajnë nga festa e përvitshme e Halloweenit, tashmë me ndërkombëtarizim edhe në Shqipëri. Këto ditë të gjithë mendojnë për kostumin më të frikshëm dhe maskën më të mirë për të impresionuar njerëzit përreth. Por kurioziteti më i madh qëndron tek karakteret që njerëzit e famshëm do të paraqesin. Kjo për shkak se buxheti i tyre lejon që të sjellin tek publiku iluzione sa më të arrira të cilat i përshtaten kësaj feste. Ndërkohë, mbretëresha e këtij eventi mbetet modelja Heidi Klum, për shkak të kostumeve mahnitëse që ajo ka realizuar për vite me radhë.
Por këtë vit Heidi mund të mposhtet nga këngëtarja shqiptare Rita Ora. Për të Halloweni ka ardhur më herët duke e vendosur tashmë shumë lart standartin për të famshmit që duan të bëhën pjesë e ndryshimeve të tilla. Këngëtarja ka arritur që të realizojë një imitim fizik perfekt të reperit Post Malone. Detajet janë realizuar në perfeksion duke bërë që të mos vihet re asnjë ndryshim nga origjinali.
Ora debutoi më veshjen e saj në një koncert ku ndodhej për të performuar. Ajo u shpreh se fansat e saj nuk kishin arritur ta njihnin se kush ishte në të vërtetë. Por në Twitter ka patur reagime të shumta të cilët e aprovonin këtë vendim të Ritës si diçka origjinale dhe e realizuar siç duhet. Tashmë pritet reagimi i reperti Malone për këtë ide. Mbase ai do të maskohet si Rita? Na mbetet të presim deri më 31 tetor ku finalizohet dhe ky manifestim.