Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka sulmuar Sali Berishës, pasi Komisioni i Rithemelimit do të mbledhë nesër Kuvendin Kombëtar të PD-së.
Bardhi thotë se ky është një tjetër akt përçarës dhe turpi për të dëmtuar PD, për të mbajtur gjallë ndasitë mes demokratëve dhe për të shfokusuar PD nga beteja me regjimin e Edi Ramës.
“Nesër Sali Berisha ka lajmëruar një tjetër akt përçarës të Partisë Demokratike. Interesi i demokratëve është bashkimi dhe lufta e të gjithëve bashkë me Edi Ramën. Interesi i Sali Berishës është përçarja, zvogëlimi, lufta dhe armiqësia mes demokratëve dhe ndërtimi i një partie personale, që i shërben vetëm interesit të tij personal.
Në vijim të ndërtimit të një partie personale, nesër sipas tij radhën e ka Këshilli Kombëtar.
Qartësisht ajo që po bën Sali Berisha nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Këshilli Kombëtar i PD është në detyrë, funksional, i regjistruar në gjykatë dhe me mandat që i përfundon më 17 Korrik 2025.
Ndërtimi i strukturave paralele nga baza në qëndër, nuk është asgjë tjetër, vetëm nje akt turpi për të dëmtuar PD, për të mbajtur gjallë ndasitë mes demokratëve dhe për të shfokusuar PD nga beteja me regjimin e Edi Ramës”, shkruan Bardhi.