Anëtari i Këshillit të PD-së, Roland Bejko komentoi sot në emisionin ‘Breaking’ situatën aktuale politike në PD. Bejko tha se e ka bërë të ditur qëndrimin e tij dhe e konsideroi ilegjitim “krye-Foltoren” e zhvilluar nga Berisha më datë 11.
Komenti i Bejkos:
“Mua më duket një situatë irracionale dhe duhet ta pranojmë që jemi në një rrugë ku nuk e dimë ende fundin. Unë them që deri tani shoh që janë dy palë, nga një anë partia zyrtare me një kryetar të zgjedhur dhe nga ana tjetër, një foltore të mbledhur nga Berisha. Këtu çështja është legjitimiteti. Mendoj që kryefoltorja e Berishës është ilegjitime dhe aspak impresionuese. Se përveç fotove të njerëzve në stadium, ata nuk përbënin as numrin e votuesve që mori Berisha në Tiranë. Erdhën me bujë të madhe, u pompua sikur në stadium ishin 60 mijë vetë, ndërkohë stadiumi mban 20 mijë vetë.
Ata 5000 vetë që ishin në Air Albania, të gjithë janë demokratë, me dritë-hijet e gjithsecilit, por dua të them që e mora si shembull jo për ta nënvlerësuar, por për të thënë që Berisha dhe mediat e kanë pasur gabim, se nuk ka gjetur atë mbështetje të gjerë që thotë se ka. Unë në Jug e kam parë që janë bezdisur me telefonata e lutje aman hajdeni se ju kemi bërë nder. Kanë marrë mbi 10 herë në telefon, ndërkohë nga krahu tjetër nuk është bërë asnjë telefonatë që t’i thuhet mos shko.
Ata 5000 qytetarë demokratë që morën pjesë në Foltore patjetër që janë demokratë dhe sfida që ka Basha është që t’i bindi me projektin e tij politik, që pritet të prezantohet më datë 18 në Kuvendin e PD-së. Ndjekja nga mbrapa e Foltores është rrugë pa krye. Yuri Kim e ka thënë tërë kohën që nëse Berisha zgjidhet kryetar i PD, atëherë ndërpriten marrëdhëniet. Kaq prerë e ka thënë. Dhe këtu mbaron diskutimi,” tha Bejko