Sulmet e ish-kryeministrit Sali Berisha në adresë të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim se ajo është e korruptuar dhe nuk flet në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit, janë shenjë dëshpërimi që tregon gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet sot ish-lideri demokrat.
“Sulmet që bën z. Berisha dhe mbështetësit e tij ndaj ambasadores amerikane në Tiranë zj. Yuri Kim, janë të përsëritura dhe si të tilla nuk përbëjnë më lajm. Departamenti i Shtetit është shprehur qartë dhe më parë se ambasadorja e SHBA në Tiranë nuk përfaqëson thjeshtë veten, por qeverinë amerikane dhe deklaratat e saj përfaqësojnë jo qëndrimet personale të saj, por të qeverisë amerikane”, deklaroi ai.
Më tej, anëtari i Kryesisë së PD, Roland Bejko u shpreh i bindur se ish-kryeministri Sali Berisha ka hyrë në një rrugë, ndërsa theksoi se ithtarët e ish-liderit demokrat, sipas tij, duhet ta dinë se nuk kanë të ardhme me të. “Nuk është e re po të themi se ata e refuzojnë njohjen e z. Berisha si faktor politik për arsyet që kanë motivuar shpalljen e tij “non grata”. Kushdo që do vazhdojë ta ndjekë nga mbrapa z. Berisha në rrugën e tij pa krye, është i lirë ta bëjë. Por çdo njeri që zgjidhet diku me mbështetjen e Berishës dhe të klanet të tij, duhet të llogarisë edhe natyrën e raportit të marrëdhënieve që duhet të ketë nesër me qeverinë amerikane. Por, me sa shikoj, dëgjoj e kuptoj unë, z. Berisha dhe ithtarët e tij vazhdojnë t’i konsiderojnë SHBA-të si Enveri dhe besnikët e tij, “Tigër prej letre”, ndërsa prijësin e tyre “Tigër mali” që se ka fare në konsideratë këtë “Tigrin prej Letre”. Mbarë iu vaftë, diell ua bëftë zoti në rrugën pa krye ku po shkojnë”, u shpreh ai.
“Sali Berisha mendoj se është duke treguar forcë, por mendoj se është duke bërë një akt kamikaz sepse SHBA nuk janë as ‘Fushë Kruja’ as ‘Memaliaj’, SHBA janë një fuqi botërore të cilët kanë procedurat e shpalljes “non grata’, kështu që ata e kanë argumentuar vendimin e tyre. Është idiotësi t’u thuash të na jepni prova. SHBA është një aleat strategjik dhe nuk mund që PD të kërkojë pushtetin, por nga ana tjetër e izoluar. Vetëm ambasadorja amerikane deklaroi se nëse Berisha merr partinë, PD do të jetë e izoluar nga SHBA. Kështu që lëvizja e Berishës është për interesa personale dhe për të bunkerizuar PD”, nënvizoi drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, Roland Bejko.