Sfida e brendshme në Partinë Demokratike mes individëve dhe grupeve vijon duke e bërë të vështirë parashikimin se çfarë mund të ndodhë më forcën më të madhe të opozitës në vend. Anëtari i Kryesisë së PD, Roland Bejko, deklaroi se kampi blu duhet të riformatohet, me qëllim për të fituar betejën kundër kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, e ardhmja e opozitës është pa Berishën dhe Bashën. Pavarësisht rikthimit të ish-kryeministrit, për Bejkon, Berisha nuk mund ta sjellë kurrë PD-në në pushtet apo të bëhet fitues i zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm.
“Opozitën shqiptare do të doja ta shikoja të bashkuar. Të ardhmen e opozitës për të mundur Edi Ramën nuk e shikoj as te Berisha, as te Basha. Të dy janë personalitete që e kanë kaluar kohën e tyre. Më vjen keq që Basha nuk mund ta tejkalonte veten. Më 9 shtator, ishte rast më i mirë që të dëshmonte se ishte një lider i mirë për të udhëhequr PD-në, por dështoi.
PD duhet të kthehet në shinat normale dhe të gjejë një drejtues normal dhe ekip kredibël. Nuk ka fare rëndësi forcimi i pozitave të Berishës brenda PD, është e pamjaftueshme që Berisha ta sjellë PD-në në pushtet apo të bëhet fitues i zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm. E para është non grata nga SHBA. Nëse Berisha zgjidhet në krye të PD, SHBA do t’i qëndrojë deklaratës së tyre për shkëputjen e marrë nga SHBA. Atëherë, i bie të jetë një parti e izoluar nga faktori ndërkombëtar. Berisha ka rreth vetes të njëjtën establishment që shqiptarët e votuan me 1 milionë vota kundër në vitin 2013. Në këto kushte, nuk ofron asgjë të re.”, tha Bejko.