Ronaldo përmbys Atleticon, Juventus në Champions

0
2

Ëndërr, ngrintë, realitet…! Juventus ka bërë të pabesueshmen, teksa ka përmbysur disavantazhin 2-0 kundër Atleticos së Madridit për të vijuar ëndrrën në UEFA Champions League. Bardhezinjtë iu falën një forme fantastike të yllit të saj kryesor, Cristiano Ronaldo. Luzitani shënoi të gjithë golat e takimit, në fitoren 3-0 që Juventus arriti në “Allianz Stadium”.

Që do ishte një takim mjaft i luftuar u pa që në minutat e para, me Chiellini që dërgoi sferën në rrjetë pas tre minutash lojë. Megjithatë, për kryesorin aksioni ishte i pavlefshëm. Por, të njëjtën gjë nuk mund ta thoshte për rastin e minutës së 27-të. Krosimin e Bernardeski nga e majta e shfrytëzoi në maksimum Ronaldo, që me kokë vodhi kohën e mbrojtësit për të mposhtur Oblak.  Të njëjtë gjë bëri edhe me krosimin e Cancelo në minutën e 48-të, duke vendosur në ekuilibër të plotë rezultatin e përgjithshëm. Gjithsesi, për Ronaldo sapo kishte nisur festa. Luzitani del sërish në skenë 5 minuta përpara fundit të kohës së rregullt. Bernardeski futet në zonë dhe merr një penallti, që ekzekutohet mjeshtërisht nga ish-ylli i Realit. Sfera në njërin krah, Oblak në tjetrin. Juventus është në çerekfinale dhe ëndrra për Tripletë vijon të jetë e gjallë.  Gjithashtu, në raundin tjetër kaloi edhe Manchester City, që në takimin e dytë shkatërroi 7-0 Schalke 04. Anglezët kaluan me rezultatin e përgjithshëm 10-2.