Ministri i shtetit pranë MPJ gjermane Michael Roth tha se gjatë presidencës së BE-së Gjermania do të angazhohet për Ballkanin Perëndimor dhe sidomos për të ardhmen e brezit të ri në Ballkan.Bashkimi Evropian duhet të jetë më i zjarrtë dhe emocional dhe të mos krijojë përshtypjen se është thjesht një grumbull teknokratësh, kërkon ministri i shtetit pranë Ministrisë së Punve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth. Gjermania do të vërë në agjendën e saj si presidente e radhës e BE-së çështje të rëndësishme për shumë njerëz si ndryshimi i klimës, forcimi i shtetit të së drejtës dhe i demokracisë, bashkëpunimi shoqëror si dhe çështje që lidhen me azilin dhe migracionin.Në intervistë me DW ai tha se Bashkimi Evropian po mbështet tani Ballkanin Perëndimor në luftën kundër pandemisë me 3.3 miliardë EUR, por gjatë presidencës gjermane do të jenë në rend të ditës edhe tema të tjera që lidhen me Ballkanin Perëndimor.
Ballkani në qendër të angazhimit gjerman për zgjerimin
Pas bllokimit në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ministri i shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, tha në një intervistë për DW se “jam i lumtur që është tani shfaqur një dinamikë e re edhe me përfaqësuesin special Lajçak.” Michael Roth thekson se Gjermania do ta vendosë Ballkanin Perëndimor në qendër të angazhimit për zgjerimin: “Ballkani Perëndimor nuk është ndonjë oborr i çfarëdoshëm i Bashkimit Evropian, por është oborri ynë i brendshëm dhe u shërben interesave tona.
Ministri i shtetit Roth tha se gjatë presidencës së BE-së Gjermania do të angazhohet që “në Ballkanin Perëndimor të kemi sa më shpejt që të jetë e mundur demokraci, sundim të ligjit dhe pajtim rajonal dhe mbi të gjitha që edhe brezi i ri të ketë një perspektivë. Ne do të zhvillojmë një konferencë për të ardhmen e brezit të ri në Ballkanin Perëndimor. Pra edhe ky rajon do të arrijë prosperitet dhe stabilitet vetëm nëse Bashkimi Evropian merr përsipër më shumë përgjegjësi.”
Sinjal i qartë për Turqinë
Sa u përket zhvillimeve në Turqi dhe thirrjeve të disa politikanëve që pas vendimit për shndërrimin e Hagia Sofisë në xhami BE-ja t’i ndërprese bisedimet me këtë vend, Michael Roth tha se Turqia ka bërë hapa prapa në aspektin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, por se BE-ja duhet të vazhdojë t’u dërgojë një sinjal të qartë atyre turqve që ndajnë vlerat evropiane, se “ne nuk i lëmë ata vetëm, se ne jemi akoma të interesuar për Turqinë”. Sipas Roth “nëse Turqia afrohet përsëri me drejtimit tonë, ka shanse që procesi i pranimit, i cili aktualisht është në pritje, të mund të ringjallet”.
Për momentin dialogu me Turqinë është shumë e vështirë dhe në Turqi vërtetë nuk po bëhet asgjë për sa u përket vlerave evropiane, “por nëse vërtet duam të arrijmë diçka, nëse dëshirojmë gjithashtu të ushtrojmë ndikim në Turqi në mënyrë që ajo të përmbushë përgjegjësitë e saj në politikën e jashtme në rajon, atëherë duhet t’i thellojmë më tepër kontaktet tani dhe jo thjesht të heshtim,” – tha Roth në intervistë me DW.