E vogël Vera Camaj, si ëndrra fëminore e çdo vajze, dëshironte të vishte fustanin e nusërisë dhe të martohej me njeriun që do t’i rrëmbente asaj zemrën. Të paktën këtë kishte lexuar në libra dhe imagjinuar teksa dëgjonte rrëfimet e gjyshit të saj Martin Camaj. Edhe ajo vetë kështu dëshironte. Mezi priste të mbushte moshën që fati i jetës të trokiste që edhe ajo të krijonte familjen e saj të re. Në vitin e 18-të ishin prindërit që ia përcaktuan personin, me të cilin e bija do të lidhte kurorë. Njësoj siç kishte ndodhur edhe me motrat dhe vëllezërit e tjerë të saj.
Në hapat e parë të jetës së re, tashmë e martuar, fillon edhe kalvari i mundimeve të Verës. Bashkëshorti i përzgjedhur nuk i përngjante aspak personit për të cilin ajo kishte pritur e ëndërruar.
“Në muajt e parë të martesës çdo gjë shkonte shumë mirë. Ai po priste të fillonte punë diku në një biznes privat. Por kështu kaluan në fakt shumë kohë dhe po filloja të kuptoja që ai nuk kishte dëshirë të punonte, jo se nuk po mundte të gjente dot një vend për t’u punësuar. Kështu filloi çdo natë të pinte alkool dhe të luante bixhoz. Kur vinte në shtëpi e bezdiste prania ime dhe vetëm mallkonte ditën që më kishte kërkuar dorën. Nuk dinte çfarë bënte, vetëm gjuante pa kontrolluar forcën edhe pse unë isha gruaja e tij. Kështu kam duruar çdo natë për 18 vite. Nuk ka pasur ditë që të mos zgjohesha me frikë se çfarë më priste deri në darkë kur ai kthehej”.
Familjarët e këshillonin që të kishte durim, ndonëse plagët tregonin se durimi i kishte tejkaluar të gjithë kufijtë.
“Nanës vonë i kam treguar, ndërsa im vëlla më thonte rri aty se nuk ke ku shkon në vend tjetër. Prindërit ishin të sëmurë, prisnin prej meje të gëzoheshin me nipër e mbesa. Nuk guxoja të hapja gojë dhe t’i tregoja çfarë ndodhte me mua dhe burrin tim”.
Dhuna e çdo dite nuk ka munguar madje as kur Vera ishte në pritje të fëmijës së saj të dytë. Përlotet teksa tregon se bashkëshorti i ka drejtuar edhe armën teksa ajo ishte në muajin e pestë të shtatzënisë. Djali i madh sapo kishte mbushur 2 vjeç, kur erdhi në jetë edhe bekimi i dytë i tyre. Por as kjo nuk mundi ta qetësojë situatën në familje, torturat vazhdonin rregullisht. Deri një mbrëmje kur pas plagëve të marra, siç mund ta shihni edhe në foto, Vera merr vendimin për të braktisur gjithçka.
“Më dhembte shpirti të lija fëmijët vetëm, por edhe trupin e kisha copë nga plagët. Nuk mundesha dot më të duroja dhimbjen. Edhe në spital kisha frikë të shkoja se mos më gjente. Kështu vendosa t’u drejtohem motrave të manastirit “Nënë Tereza” në Shkodër. Ato janë kujdesur për plagët në trup se as teshat nuk më hiqeshin. Nuk kam lëvizur nga krevati për javë me radhë. Madje njërën nga brinjët e kam pasur të thyer, flija vetëm në një krah, por në spital nuk shkoja, e dija se më gjen aty e më merr prapë në shtëpi.
Vendos t’i drejtohet Policisë së Shkodrës për të marrë një urdhër mbrojtje, por edhe aty nuk gjen shpëtim nga makthi. Vera thotë se në rajon e ka pritur një polic në gjendje të dehur, i cili në vend që ta ndihmojë për procedurat i kërkon të martohet me të.
“Këtu thashë se m’u shemb mbi kokë çdo gjë. Ndihesha krejt vetëm, pasi im vëlla ma kishte thënë qartë, tek ne nuk shkel më se tani e ke burrin. Vetëm një përgjigje kam mundur t’i them: Veç po të çohet ai babë nga varri, atëherë kthehem edhe unë te burri.
Për të ruajtur nderin, familjarët e këshillonin çdo ditë të rikthehej te bashkëshorti, çka do të thoshte që Vera të rikthehej në strehën e dhunës. Për këtë arsye ajo vendos të vijë në kryeqytet larg çdo kujtimi, duke hequr dorë edhe nga fëmijët (të cilët burri edhe sot nuk ia lejon t’i takojë). Por edhe në kryeqytet përndjekja prej tij vazhdon.
“Unë tani jetoj vetëm në Tiranë, në një shtëpi me qira që ma paguajnë shoqatat e grave të dhunuara. Por edhe këtu nuk ka natë që të fle e qetë. Më vijnë njerëz e më trokasin në derë njerëz që nuk i njoh. Më sjellin fjalë prej tij e pastaj largohen”.
Pas shumë betejash gjyqësore dhe kërkesash në polici Vera ka mundur të marrë divorcin dhe urdhrin e mbrojtjes. Fëmijët megjithatë i takon shumë rrallë.
“Tinëz shkoj i takoj se nuk më rri shpirti i qetë kur e di që janë në shtëpi me atë njeri që vetëm alkoolin njeh. Ai nuk do që t’i takoj, edhe pse djali i madh ka mbushur moshën 18 vjeç e vjen e më sheh. Shkoj punoj diku, sa të marr ca lekë për të paguar rrugën deri në Shkodër”.
Shtëpia në Tiranë është në kufijtë e modestisë. Vetëm disa orendi të nevojshme dhe ato pak ushqime që i blen me para të marra borxh. Objektet më të shtrenjta janë vetëm fotografitë e djemve që i heqin sadopak mallin teksa i përkëdhel portretet. Netëve të vona kur ndien edhe më shumë vetminë, Vera rrëfen mes lotësh se nuk janë të pakta rastet kur ka tentuar edhe vetëvrasjen.
“Kam provuar me i mbyll sytë e me ik nga kjo botë, por vetëm fëmijët janë motivi që ma mbajnë frymën gjallë sot”.
Kur ka humbur çdo shpresë nga institucionet shqiptare, 42-vjecarja i ka kthyer sytë drejt ambasadave. Kërkesa e vetme është vetëm të emigrojë sa më larg Shqipërisë, duke braktisur çdo kujtim që i rikthen dhimbjen dhe lotët. Të paktën kështu do të mund të përfundojë një herë e mirë përndjekja, ankthi dhe çdo frikë e torturës 18-vjecare. ( Nga Megi Fagu)