Ish avokati i presidentit Donald Trump, u mor në pyetje nga një komision i senatit, me dyer të mbyllura, në të parën seancë prej tre të planifikuarave që mund të zbulojnë të reja shpërthyese mbi liderin amerikan. Cohen pritej të përballej me pyetje të vështira në Komitetin e Inteligjencës së Senatit në lidhje me gënjeshtrat që ai kishte thënë para tij në 2017 për të mbuluar ish klientin e tij.
“Unë me të vërtetë e vlerësoj mundësinë që më është dhënë për të pastruar veten dhe për të treguar të vërtetën dhe pres që ti tregoj popullit amerikan historinë time, për ti lënë ata më pas të vendosin se kush po thotë të vërtetën”, tha Michael Cohen, ish avokat i Trump.
Seancat po zhvillohen me dyer të mbyllura për të evituar diskutimin e çështjeve të lidhura me përzierjen ruse në zgjedhje, që janë ende nën hetim nga këshilltari special, Robert Mueller. Sipas raporteve të mediave, që citojnë burime të afërta me Cohen, ai do të flasë për sjellje kriminale të presidentit dhe do të detajojë gënjeshtrat, racizmin dhe mashtrimet e Trump si edhe sjelljen e diskutueshme në biznes të tij. Sipas CNN Trump madje planifikon ta ndjekë seancën e të mërkurës live, nga Hanoi ku ai ndodhet për një takim me liderin Koreano Verior, Kim Jong Un.