Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë shfaqur edhe problematikat e përhershme në aksin nacional Berat-Skrapar. Prej gati 1 ore në fshatrat Vodicë dhe Fushë-Peshtan po vijon rrëshqitja e gurëve në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks dhe duke u bërë shkak për aksidente të mundshme.
Prezenca e shtuar e gurëve në rrugë është bërë shpeshherë burim aksidentesh, pasi mjetet jo vetëm që po qarkullojnë vetëm në një korsi, por rruga ka mungesë ndriçimi dhe shumë kthesa. Drejtuesit e mjeteve kanë deklaruar se shkëputja e gurëve nga faqja kodrinore përgjatë këtij aksi vijon të jetë një problem i pazgjidhur prej vitesh, edhe pse ata janë ankuar shpesh-herë.
Sipas tyre, kjo rrugë përbën rrezikshmëri të lartë në ditët me shi pasi ata qarkullojnë me frikët se gurët mund të bien edhe sipër mjeteve. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë marrjen e masave për veshjen e kësaj kodre me rrjeta metalike, për të shmangur në këtë mënyrë rënien e gurëve në aksin nacional.