Rritet kërkesa për blerjen e maskave në farmacitë e Kryeqytetit

0
10

Deklarata e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, se nga e enjtja e kësaj jave, maskat do të jenë një detyrim në ambiente të hapura dhe të mbyllura, ka rritur në mënyrë të menjëhershme kërkesën pranë farmaci

Në farmacitë e kryeqytetit, konfirmohet se është shtuar kërkesa për maska njëpërdorimshme, por ende njerëzit preferojnë që t’i blejnë me copë.

“Nga fillimi i javës, pati një rritje të kërkesës për maska, por sigurisht jo të gjithë përballojnë që të blejnë pako. Kryesisht i kërkojnë me copë ndoshta 5-10 të tilla. Çmimi deri tani nuk ka ndryshuar”, ka  pohuar Orjola, farmaciste pranë Komunës së Parisit.

Sipas saj, kërkesa pritet të vijë në rritje të vazhdim, por për shkak të kostos ndoshta njerëzit, do të kenë tendencën të marrin maska shumëpërdorimëshe. Këto të fundit, mund t’i gjesh kudo nëpër faqe online, në internet për çmime që nisin nga 150 lekë.

Maskat njëpërdorimëshe, shiten sot nëpër farmacitë e kryeqytetit mes 25-30 lekëve, një çmim që aplikohet prej kohësh dhe dukshëm, më i ulët se në fillimet e pandemisë kur një maskë në farmaci, shitej deri në 120 lekë. Kjo situatë kaotike dhe rritje e dukshme e çmimeve, erdhi si efekt i shpërthimit të pandemisë dhe vendosjes së masave kufizuese.

Në fundjavën që lamë pas, kreu i qeverisë tha se një karantinë e dytë do të ishte shkatërruese, ndaj alternativa më e përshtatshme për të evituar këtë, do të ishte mbajtja e maskës.

“Maska nuk ka qenë as këtu dhe as në shumë vende, e detyrueshme jashtë. Nuk është konsideruar as e domosdoshme nga ekspertët ndërkombëtare dhe siç e dini, është një temë që diskutohet çdo ditë, por nga java e ardhshme, do të jetë e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë, barit apo restorantit, ku je ulur. 

Maska do të jetë e detyrueshme, dhe masa ndëshkimore do të zbatohet për të gjithë te fatura e dritave. Mos të ketë asnjë iluzion se do mund t’i shmanget gjobës. Siç e shihni, kjo është një tendencë e përgjithshme, që ne nuk mund t’i shmangemi””,u shpreh Rama.

Deklarata, erdhi pas rritjes së numrit të infektimeve dhe shtrimeve në spital të të sëmurëve të prekur nga Corona*virus.

Të dhënat nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur, se gjatë periudhës janar-korrik, importet e maskave të pëlhurës jo mjekësore, arritën në 503 milionë lekë, ose mbi 4 milionë euro, duke u pesëfishuar në raport me të njëjtën periudhë, të një viti më parë. Më herët, importet e këtij produkti, ishin pothuajse të papërfillshme.