Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku deklaroi gjatë fjalës së saj në Kuvend se çështja kryesore për diskutim sot do duhet të ishte rritja e çmimeve. Ajo u shpreh se ka një moskontroll total në treg dhe rritje abuzimeve të kostove të produkteve për qytetarët.
Unë e di që ndoshta sot çështja e integrimit europian nuk është kryesore. Kur Shqipëria është në protestë për rritjen abuzive të çmimeve, për moskontrollin total që qeveria ka sot në treg. Ndoshta sot qytetarët do kishin dashur të diskutonim për këtë. Për këtë arsye bëmë kërkesë për një mocion për të diskutuar për këtë çështje që nuk u kalua”, u shpreh Tabaku.
Duke u ndalur te procesi i integrimit, Tabaku tha se kjo është diskutuar në shumë forume muajt e fundit dhe në këtë pikë përveç pozicionit të saj i njohu meritat edhe Taulant Ballës. Megjithatë ajo u shpreh se ka një mungesë vullneti nga ana e qeverisë për të ngritur strukturën funksionale për procesin e integrimit.
“Procesi i integrimit është diskutuar në shumë forume në tre muajt e fundit me përpjekjet e mia dhe zotit Balla, e di që do bëj lajm me këtë që them, por kështu ka qenë e vërteta. Pavarësisht mungesës së vullnetit të qeverisë dhe ngritjes së strukturës funksionale për procesin e integrimit, këshilli kombëtar i integrimit është përpjekur. Ky këshill funksionon me bashkëdrejtimin e opozitës dhe qeverisë. Kemi që në tetor të vitit të kaluar duam të marrim institucionet shqiptare në dëgjesa për të diskutuar për prioritetet.
Ky është një proces që kërkon vullnet politik. Këtë vullnet duhet ta tregojë qeveria. Është një proces teknik ku e gjithë administrata duhet të ngrihet në këmbë për të marrë drejtimin e këtij procesi. Që nga tetori nuk ka asnjë përparim në secilin prej kritereve që janë vendosur. Pak javë më parë kemi marrë disa informacione voluminoze nga ana e qeverisë por nuk janë ato që duhet, Kemi bërë dëgjesa me shoqërinë civile”, tha Tabaku.