Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka folur sot në rubrikën “Opinion” në News24 për situatën në vend dhe rritjen e çmimit të energjisë. Ajo tha se rritja prek shtresën e mesme, teksa bëri dhe një llogaritje se sa duhet të paguajnë.
Deputetja e PD-së foli dhe për paketën antikrizë të qeverisë.
“Rënia e konsumit nuk prek një shtresë, ka prekur të gjithë ekonominë.
Jemi kurrkund me ato që ka bërë rajoni. Paketat e Kosovës janë dinjitoze. Kosova ka pasur 100 euro në muaj për pensionistët. Paketa e dytë i ka kaluar 150 mln euro, të mos flasim për vendet e BE-së.
Asnjë vend nuk ka pasur një mbështetje kaq të vogël, duke pasur këtë dinamikë në vend. Në një situatë kur ka shkuar borxhi 100%, kur kemi rritje të jashtëzakonshme të çmimeve, nuk e kemi luksin që të jemi indiferentë në një situatë të tillë.
800 kilovat është harxhimi mesatar për një familje. Është e vërtetë që një grup i madh janë nën nivelin e 300 kilovatëve orë. Do të rritet me 4 herë çmimi i energjisë. Për një familje që harxhon deri në 9100 lekë, çmimi do shkojë 14 mijë lekë.
Pas rritjes së parë të çmimit në 2014, kjo është rritja e dytë e çmimit, ndërkohë që çmimi për bizneset është rritur veçmas. ERRE e ka rritur. Shtresa që goditet më shumë është shtresa e mesme.
Kushdo i shtresës së mesme, më kanë thënë që 24% e familjeve preken nga kjo masë, është e gjitha shtresa e mesme. Arsimi është rritur, transporti është rritur, karburanti është rritur”, tha Tabaku.
Ajo theksoi më tej se energjia e cila përdoret dhe konsumohet sot në Shqipëri 70% prodhohet në vend, 30% merret nga jashtë dhe ndaj nuk është e nevojshme që të rriten çmimet. “Ose po na gënjejnë, ose ne nuk kemi informacionin që ka qeveria. Komisioni Europian ka vendosur çmimin tavan, në bursa çmimi ka rënë. Ne varemi nga energjia e prodhuar brenda. Qeveria ka pasur dritëshkurtësinë për të mos investuar në sektorin privat.
Vetëm në gusht-shtator vitin e kaluar janë humbur mbi gjysmë milioni euro me blerjen e energjisë.
E kemi aktualisht çmimin më të lartë të energjisë dhe me rritjen do ta kemi sërish më të lartë. Rritja e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar ka lidhje me çmimin e gazit, ne në këtë aspekt jemi imun se nuk jemi të lidhur me gazin”, tha ajo.
Sipas Tabakut, qeveria duhet të kishte investuar për të nxitur sektorin privat. “Qeveria duhet të ketë një strategji afatmesme dhe afatgjatë për diversifikimin, duhet të ndërpresë shpenzimet e luksit”, deklaroi Tabaku.
Ajo theksoi më tej se kemi një bord antikushtetues që vendos çmimet e karburantit.
“E kemi çuar në Kushtetuese. Nëse do i përgjigjeshim çmimeve të bursës nuk do kishim këto çmime kaq të larta.
Në Shqipëri do kemi një dimër të vështirë jo vetëm prej luftës.
10% e ndihmës ekonomike është 700-1000 lekë në muaj. Çfarë mund të bëjë një familje me ndihmë ekonomike me 6500 lekë.
Rritet vetëm për 20 mijë punonjës të administratës. Qeveria nuk e rrit pagën minimale, është kosto për biznesin, se do ia rrisë ai punonjësve. Biznesi nuk është fondi rezervë i qeverisë që qeveria të marrë para sa herë që ka nevojë. ndaj ndodhemi në këtë cirk, vendimet e qeverisë janë marrë me sy mbyllur”, deklaroi Tabaku.