Biznesmeni Zef Shtjefni, prodhues i materialeve të ndërtimit, ka folur në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë dhe shtimin e kostove në nxjerrjen e produkteve. Shtjefni tha se në rast se do të rriten më tej çmimet, koston finale do të vuajnë klientët.
Biznesmeni tha në Fax News se në rast se ndërtuesit që kanë shumë para mënjanë mund të mbajnë stok dhjetra apartamente, industria e prodhimit të materialeve të ndërtimit, nuk mund ta bëjë diçka të tillë.
“Të gjitha kostot janë rritur pas pandemisë, janë rritur materialet djegëse, paletat, ambalazhet, në rritje e sipër energjia elektrike, që sot e paguajmë shumë më tepër se vendet e tjera të ballkanit. Kjo çon në rritje të mëtejshme të produkteve, sidomos energjia do të ndikonte direkt. Jemi të detyruar që të rrisim pagat, nuk ka asnjë dilemë që kjo do të çojë në rritjen e produkteve. Nuk jemi vetëm ne, të gjitha materialet reflektojnë kosto në rritje, dhe më pas përkthehet në rritje të çmimit të banesave. Rritja përfundon te klientët.
Sa kohë që nuk ka ulje të çmimeve të bërjes së ndërtimeve, nuk ka ulje në çmimin për metra katror. Ajo që mua më trëmb në fushën e ndërtimeve është se në rast se një biznes mund ta lëjë stok një pallat pa shitur, për shkak të të ardhurave që i ka lënë mënjanë, ne si fabrikë nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, dhe detyrohemi që të ulim çmimin.
Atyre nuk iu prish punë që ti mbajnë pallatet pa i shitur. Ne jemi detyruar që 5 vite me radhë të ulim çmimin, pasi nuk i mbajmë dot. Flitet për rreth 20% të ndërtimeve që janë stok. Bankat po thërrasin hajde dhe merrni kredi, pa kolateral fare”, u shpreh Shtjefni. Biznesmeni ngriti dhe shqetësimin e largimit të fuqisë punëtore të kualifikuar, dhe tha se një pjesë e tyre nuk qëndrojnë, pavarësisht se mund të kenë një rritje të pagës që marrin në Shqipëri.