Tarifat e kalimit në rrugën Durrës-Kukës do të jenë në varësi të mjetit. Shoferët, të cilët kanë motoçikleta, “scooter”-a apo automjete me 3 rrota, do të paguajnë 2.5 euro për kalim, ose shumën përkatëse në lekë.
E ashtuquajtura Rruga e Kombit, e cila në të vërtetë është vetëm një pjesë autostradë në rrugën ende problematike që të çon nga Tirana në Morinë, bëhet rruga e parë në Shqipëri me autobanda ku do të paguhet çdo kalim në të dy kahet.
Por çmimet që do të aplikohen, janë praktikisht të çmendura, deri në 22.5 euro ose mbi tre mijë lekë të reja.
Të tilla tarifa që janë publikuar nga TCH, konsiderohen nga drejtuesit e mueteve që kanë lëvizur shpesh jashtë vendit, si të papranueshme dhe pa lidhje me realitetin. Për automjetet personale, ato komerciale dhe mikrobusët me 4 rrota, tarifa do të jetë 5 euro.
Ndërsa për autobusët dhe automjetet komerciale që kanë 6 rrota, taksa e kalimit do të jetë 11.25 euro. Tarifa do të jetë më e lartë për mjetet më të rënda. Për kamionët e mesëm dhe autobusët e rëndë me 3 akse, ajo shkon në 16.25 euro.
Po kaq do të paguhet edhe për automjetet tregtare, që kanë një lartësi mbi 2.7 metra. Ndërsa për kamionët e rëndë, me 4 ose më shumë akse, taksa e kalimit do të jetë 22.5 euro. Sipas kontratës koncesionare, taksa e kalimit në rrugë do të indeksohet çdo vit, sipas një formule e cila mban parasysh inflacionin në zonën euro dhe atë në Shqipëri. Të përjashtuara nga kjo taksë do të jenë ambulancat, makinat e policisë, mjetet e ushtrisë dhe zjarrfikëset, ndërsa për banorët e zonës do të ketë një skemë kompensimi. Koncesionari do të paguajë në shtet 120 mijë euro në vit, për 3 vitet e para, dhe këto parà do t’u kthehen banorëve sipas një skeme që do të përcaktohet nga Ministria e Transporteve dhe bashkitë. Ndërsa për përdoruesit e shpeshtë të rrugës, ata që kalojnë më shpesh në autostradë, do të ketë një zbritje tarife, e cila edhe kjo mbetet për t’u përcaktuar.
Në vendet e rajonit, si Sllovenia, nuk aplikohet fare tarifë rruge edhe pse autobandat janë vendosur. Në Greqi, rrugët plot autostrada që të çojnë në Selanik kanë tarifa nga 1.2 deri në 3.9 euro.
Në Malin e Zi, çmimet janë gjithashtu simbolike.
***
Dhënia me koncesion e rrugës u shoqërua me protesta të shoqërisë civile, pasi çmimi që ka pranuar qeveria shqiptare që të marrë koncesionari për çdo kalim të një automjeti në këtë rrugë, është cilësuar abuziv dhe i papranueshëm e për më tepër, i papërballueshëm për nivelin e jetesës së qytetarëve shqiptarë.
Ndërkohë shifra që pritet të vilet duket e jashtëzakonshme, të paktën 40 milionë euro. Vlera del nga përllogaritja e mesatares midis 11 mijë deri në pikun mbi 15 mijë makina që kalojnë çdo ditë në njërin kah të autostradës.
Ky koncesion do të ndikojë në qarkullimin në këtë aks, por edhe te çmimet e biletave dhe mallrave. Pritet që furgonët dhe autobusët që kryejnë këto linja të rrisin ndjeshëm pagesat e tyre për pasagjerët.
Shqiptarët u taksuan për shumë vite duke nisur që nga kryeministri Pandeli Majko i cili taksoi çdo automjet me 7 mijë lekë të rinj në vit për një rrugë që kurrë nuk kishte nisur të ndërtohej, taksë që i shijoi edhe qeverive të tjera pas tij.
Kundër koncesionit për rrugën e Kombit pak kohë më parë doli edhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Erjon Braçe, i cili shprehu rezervat e tij kundër koncesionit për rrugën e Kombit
Në mesazhin e tij ai tha: “Konçesioni i rrugës Milot-Morinë, prova unike për qeverinë (të paktën për mua është kështu) Konçesioni i rrugës Milot-Morine, është një çështje shumë e madhe!! Për shkak te konotacionit politik; është një çështje e barazvlefshme me çështjen e mirënjohur, të hetuar e të pagjykuar, ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash.
Edhe pse ekonomikisht, në vlerë është shumë me pak, prapëseprapë nuk zhbëhet aspak nga kjo pikëpamje. Qeveria dhe qeverisja mund të marrë një kosto të paimagjinueshme nga ky koncesion”.
Qveria thotë se nxitjen dhe të gjitha udhëzimet e rekomandimet për dhënien e rrugëve me koncesion i ka marrë nga IFC, degë e Bankës Botërore dhe BERZH (Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim).
Me përllogaritjet që janë bërë kërkohet që tetë rrugë kombëtare të bëhen e pagesë dhe vlerat janë goxha të majme për xhepin e shpuar të shumicës së shqiptarëve.
Shumë njerëz thonë se vlerat që qeveria mbrohet duke thënë se i ka përcaktuar apo rekomanduar IFC a BERZH, janë larg nivelit ekonomik të qytetarëve në vend. Ata vlerësojnë se amerikanët dhe europianët i shohin taksat duke i llogaritur me nivelin e jetesës së vendeve nga vijnë, pa parë realisht situatën në Shqipëri, ku varfëria është e theksuar.