Ish-kryeministri Sali Berisha është nisur sot në drejtim të Tropojës, ku do të takojë demokratët, në kuadër të Foltores, që do të finalizohet në Kuvendin e datës 11 Dhjetor. Përpara ndalesës në qytetin e lindjes së tij, Berishës i është rezervuar një pritje nga mbështetësit në Has.
Berisha u ndal në një takim me mbështetësit në rrugë, të cilëve i ftoi të gjithë që ti bashkohen Kuvendit të datës 11 Dhjetor, që sipas tij do të rikthejë PD-në në rrugën që donin studentët e dhjetorit.
“Miqtë e mi, ju falenderoj për këtë pritje të zjarrtë, Hasi do të mbrojë vlerat e demokracisë. Kjo është një lëvizje që kërkon të çlirojë Partinë Demokratike. Në 11 Dhjetor, në Kuvendin e rikthimit të PD në shtëpinë e lirisë, siç e themeluan ata që ne bashkërisht i thirrëm studentët liberatorë apo ”ëngjëjt e lirisë”. Rroftë Hasi, rroftë Shqipëria”, tha Berisha.
Takimi i Berishës në Tropojë do të nisë në orën 16:30, dhe pritet që të jetë i fundit i zhvilluar fizikisht, përpara Kuvendit të 11 Dhjetorit.