Ruçi: Kundërvënia sot ndaj Europës si ajo ndaj luftës

0
32
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u dërgoi sot një letër përshëndetëse veteranëve dhe pasardhësve të luftëtarëve të Brigadës së 12 sulmueuse dhe pjesëmarrësve në ceremoninë e festimit të 75-vjetorit të krijimit të saj.

Në letrën e tij pasi vlerëson kontributin e kësaj brigade që dha 105 dëshmorë për lirinë, Ruçi shprehet se kundërvënia e sotme ndaj Europës ngjan me kundërvënien e djeshme ndaj Luftës.

“Duke mos pasur mundësi të jem sot pranë jush, për shkak të angazhimeve jashtë Shqipërisë, ju përshëndes në këtë ditë të shënuar të formimit të një prej njësive më të rëndësishme të Ushtrisë partizane.
Brigada e 12 Sulmuese u krijua në zjarrin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ishte maj i vitit 1944, kur partizanët shqiptarë po vulosnim me betejat dhe gjakun e tyre fitoren e kësaj lufte çlirimtare, antifashiste, patriotike dhe emancipuese për Shqipërinë dhe kombet e qytetëruara.
Ishte 20 maji 1944, kur 600 partizanë e partizane të ardhur nga Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, në Sukë krijuan Brigadën e 12, nën drejtimin e Komandantit Refat Bajrami dhe Komisarit Qemal Klosi, dy personalitete të shquar të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Brigada e 12 ka shumë merita lufte, trimërie dhe heroizmi. Por kjo Brigadë ka edhe një meritë të veçantë, që e dallon nga formacionet e tjera të Ushtrisë partizane: numrin shumë të madh të vajzave luftëtare. Rreth 200 vajza ose 30 përqind e luftëtarëve të Brigadës ishin vajza.
Kjo rrethanë zbulon një tipar tjetër të vlerave antifashiste: lidhjen e tyre me vlerat shoqërore dhe kulturore emancipuese. Antifashizmi nuk ishte vetëm çlirimi prej pushtuesve nazistë e fashistë, por hapi rrugën për progres të gjithanshëm politik, shoqëror e kulturor në gjithë botën e qytetëruar.
Prej këtij progresi nuk përfituan vetëm kombet fituese, por të gjitha kombet, të gjithë vendet dhe të gjithë popujt.
Brigada e 12 ka një bilanc të pasur betejash e fitoresh. Pas përfundimit të Kongresit, luftëtarët e saj shkruan faqe heroizmi e lavdie në luftimet e Qafës së Kiçokut, në Tepelenë, Kurvelesh, Vlorë, Llogara, Himarë, Therepel, Vokopolë, Rehove etj.
Njësive të saj u takon merita e çlirimit të Sarandës, Vlorës, Sazanit,
Peqinit, Rrogozhinës, Kavajes, Durrësit e Shijakut.

Brigada e 12-të Sulmuese la në altarin lirisë 105 dëshmorë, të cilët i kujtojmë sot me respekt e nderim të thellë.
Trimëria legjendare e djemve dhe vajzave të Brigadës së 12 nuk përfundoi më 29 nëntor 1944. Ju, veteranët e saj, pasardhësit tuaj dhe familjet e dëshmorëve të lirisë kini mbajtur e mbani gjallë frymën antifashiste, patriotike, progresiste dhe europiane të luftëtarëve të saj.
Dekoratat që ndrisin në gjokset tuaja janë mirënjohje dhe dëshmi e një epopeje nga më të lavdishmet në historinë tonë kombëtare, të devocionit e sakrificave sublime në shërbim të Atdheut, lirisë dhe progresit. Shkëlqimin e tyre nuk ka argument apo pseudo-historian që ta mohojë.
Antifashizmi, atdhetarizmi, përkushtimi e sakrifica për liri e progres nuk vjetrohen kurrë.
Këto vlera qëndrojnë në themel të Europës dhe qytetërimit të sotëm perëndimor.
20 maji 1944 i Brigadës së 12 është vetëm 1 vit e 11 ditë larg nga 9 maji i vitit 1945, ditës së fitores së madhe të përbotshme mbi fashizmin.
Është 6 vjet dhe 11 ditë larg nga 9 maji i vitit 1950, Ditës së Europës, e cila shënoi themelimin e familjes europiane.
Prandaj vlerat antifashiste qëndrojnë në themel të qytetërimit të sotëm europian dhe perëndimor dhe ato e shtyjnë botën drejt të ardhmes, sigurisë, paqes dhe zhvillimit.
Prandaj kolaboracionizmi, duke i kundërqëndruar antifashizmit, e tërheq botën drejt të shkuarës, pasigurisë, errësirës dhe regresit.
Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë: të vazhdojmë pa u ndalur në rrugën që çeli Brigada e 12, antifashistët, partizanët, çlirimtarët dhe veteranët shqiptarë.
Vetëm kjo rrugë na shpie drejt Europës.
Prandaj kundërvënia e sotme ndaj Europës ngjan me kundërvënien e djeshme ndaj Luftës.”, shkruhet në letrën e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

 

Zjarr Tv Ad