Ruçi takon kryetaren e Tetovës: Jeni vendimtarë për referendumin

0
122
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti sot Kryetaren e Bashkisë së Tetovës Teuta Arifi, me të cilën bisedoi mbi zhvillimet më të fundit ne Maqedoni. Gjatë takimit Kryetari i Kuvendit nënvizoi se pjesëmarrja e shqiptarëve dhe vota e tyre pro në referendumin e 30 shtatorit është shumë e rëndësishme.
“Shqiptarët duhet të bëhen masivisht pjesë e zgjidhjes”, nënvizoi z. Ruçi.

“Forcat politike dhe institucionet e qeverisjes qendrore e vendore të drejtuara prej shqiptarëve duhet të japin mesazhin e qartë në mbështetje të referendumit. Ne shqiptarët, jemi një faktor i rëndësishëm stabiliteti jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin. Është pozitive që forcat politike shqiptare janë përgjithësisht pro referendumit dhe kjo duhet të pasohet edhe nga mbështetja e votuesve shqiptarë”, deklaroi Kreu i Kuvendit.

Ai theksoi më tej se Tetova duhet gjithashtu të paraprijë në këtë proces.

“Roli i Komunës së Tetovës është vendimtar për sigurimin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në referendum. Nuk duhet ta humbasin këtë shans historik”, u shpreh Ruçi.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, falënderoi z. Ruçi për mbështetjen që Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë u japin në këto çaste shqiptarëve në Maqedoni. Ajo vlerësoi gjithashtu faktin që forcat politike dhe shqiptarët e Maqedonisë janë në mbështetje të referendumit dhe votës pro.

“Suksesi i referendumit të 30 shtatorit hap rrugën për ndryshime të tjera pozitive në Maqedoni, të cilat kanë dhe do të kenë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar mbështet si rallëherë në këtë çështje të gjitha forcat progresiste të Maqedonisë, të cilat përpiqen për zgjidhjen e
problemeve, prosperitetin, paqen dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi Arifi.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shprehën bindjen se shqiptarët do të marrin pjesë masivisht në referendumin e 30 shtatorit dhe vota e tyre do të jetë pro.

Zjarr Tv Ad