Ruçi: Zgjidhja e krizës politike me dialog por pa shkelur vijat e kuqe

0
2

 

Në një takim me ambasadoren gjermane, Susane Schutz, me rastin e përfundimit të misionit të saj në Shqipëri, kryeparlamentari Gramoz Ruçi u shpreh se zgjidhja e krizës politike në vend mund të arrihet vetëm përmes dialogut, por pa shkelur vijat e kuqe të tij.

“Zgjidhja mund të vijë vetëm nëpërmjet dialogut, por pa shkelur vijat e kuqe të këtij dialogu, të cilat janë Kushtetuta e ligji dhe pakthyeshmëria e reformës në drejtësi. Gjithashtu Kuvendi ka krijuar të gjitha mundësitë që opozita parlamentare dhe joparlamentare të bashkëpunojnë për vazhdimin e reformave, përfshirë edhe reformën në drejtësi” -u shpreh Ruçi.

Kryetari   i Kuvendit i shprehu ambasadores Schutz përgëzimet për kryerjen me sukses të misionit në Shqipëri, mirënjohjen ndaj bashkëpunimit tuaj të shkëlqyer me Kuvendin dhe i uroi suksese në detyrën e saj të re.

Kryetari Ruçi shprehu gjithashtu urimet për zgjedhjen e znj.  Ursula von der Leyen, Ministres së Mbrojtjes së Gjermanisë, në krye të Komisionit Europian, një shënje e ndikimit në rritje të Gjermanisë në arenën europiane dhe globale.

“Gjermania është lokomotiva ekonomike dhe politike e Europës, një magnet i fuqishëm për të gjithë popujt dhe vendet që aspirojnë për liri, demokraci e mirëqenie. Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë për mbështetjen gjatë gjithë tranzicionit, por në mënyrë të veçantë për mbështetjen e fuqishme të proceseve integruese.  Ne u jemi thellësisht mirënjohës Kancelares Merkel dhe Presidentit të Bundastagut Shauble dhe jemi të bindur se rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen pa kushte të negociatave nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e Gjermanisë, të Qeverisë dhe Bundestagut. Këtë mbështetje e konstatova edhe gjatë vizitës zyrtare në Gjermani dhe takimit me Presidentin Shauble dhe ministrin për Çeshtjet Europiane Roth. Shqipëria shpreson në vazhdimin e mbëshetjes së Gjermanisë edhe në mbledhjen e Këshillit Europian në tetor të këtij viti.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Kryetari i Kuvendit falenderoi ambasadoren Susane Schutz edhe për qetësine, maturinë dhe vendosmërinë e saj personale për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri, duke u mbështetur në kushtetueshmërinë dhe sundimin e ligjit.

“Unë jam e lumtur që kam punuar në një vend mahnitës dhe me një të ardhme të shkëlqyer. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Kancelarja Merkel është shumë e angazhuar për këtë proces.”, vuri në dukje ambasadorja  Schutz.