Për deputeten demokrate Rudina Hajdari rasti i Agim Kajmakut, të cilit KQZ i hoqi mandatin lidhet me sistemin zgjedhor, që sipas saj të ndryshohet.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hajdari thotë se duhen marrë masa të rrepta si për individët ashtu edhe për partite.
Rudina Hajdari: Rasti i dytë brenda pak muajve nga Partia Socialiste që na tregon se sa i kalbur është sistemi ynë zgjedhor, ku njerëz me të kaluar kriminale vendosen nga kryetarët e partive si kandidatë për zgjedhje dhe cënojnë proceset integruese dhe demokracinë në vend.
Patjetër që jo vetëm duhen marrë masa të rrepta si për individët, por dhe për partitë pasi duhet të mbajnë ata përgjegjësi, mbi të gjitha.
E vetmja zgjidhje është ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe futja e një mentaliteti më të shëndoshë.
Nuk mundet që kryetarët e partisë të zgjedhin kë të duan dhe të kenë në dorën fatet e çdo njërit duke mbytur fjalën e lirë e demokracinë brenda partive të tyre, por dhe të tallen sa vjen e më shumë me fatin e vendit.