Rumania/ Nënshkron Protokollin për anëtarësim e Maqedonisë së Veriut në NATO

0
0

Sot, në Senatin e Rumanisë u mor vendim unanim me 95 vota për në favor të ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Pas votimit, Kryetari Xhaferi u ftua në foltore në të cilën u drejtua me fjalët përshëndetëse në vijim:

“Ju falënderoj për ftesën të jem sot i pranishëm në seancën plenare të Senatit të Rumanisë, në aktin e ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin e vendit tim në NATO. Edhe njëherë, Rumania e demonstroi përkushtimin e vet, miqësinë dhe mbështetjen ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut për realizimin e përcaktimit të vet euroatlantik, duke mundësuar një koherencë dhe ardhmëri të përbashkët. Më lejoni që sinqerisht të falënderoj në emrin tim personal, në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emër të qytetarëve tanë, është nder që jeni miqtë dhe partnerët tanë të vërtetë.

Xhaferi nga Bukureshti do të shkojë në Vilnus të Lituanisë ku nesër do të merr pjesë në ratifikimin e protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së veriut në NATO. Është parashikuar që kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi të mbajë fjalim para deputetëve në Kuvendin e Lituanisë. Ndryshe, protokolli për anëtarësim në NATO është nënshkruar më 6 shkurt në Bruksel, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë për ndryshimin e emrit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Pasi të gjitha vendet anëtare të NATO-s ta ratifikojnë Protokollin në Kuvendet e tyre, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s.