Një gjykatë ruse e ka dënuar një burrë norvegjez me 14 vjet burgim pasi e shpalli atë fajtor për spiunimin e nëndetëseve bërthamore. Ky vendim pritet t’i tensionojë marrëdhëniet mes Moskës dhe Oslos. Frode Berg, 63-vjeçar, i cili më parë kishte shërbyer si roje kufitare në kufirin mes Norvegjisë dhe Rusisë, ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2017 në Moskë. Ai u deklarua i pafajshëm për akuzat për spiunazh në të mirë të Norvegjisë.
Avokati i tij, Ilya Novikov, tha se Berg nuk do të bëjë ankesë ndaj këtij vendimi, por ka planifikuar të kërkojë që të falet me dekret të veçantë nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Berg, i cili në gjykatë u paraqit me duar të lidhura dhe i mbyllur në një rrethojë të qelqtë, ka pranuar se ka shërbyer si postier për inteligjencën ushtarake të Norvegjisë, por tha se nuk di asgjë për operacionin në të cilin ka marrë pjesë. Javën e kaluar, presidenti Putin u duk sikur e la të hapur mundësinë që ta falë norvegjezin ose ta bëjë një shkëmbim me një të burgosur rus në Norvegji.
I pyetur për këtë rast gjatë takimit me kryeministren norvegjeze për mundësinë e faljes së personit të dënuar, Putini tha: “Duhet të presim derisa të përfundojnë procedurat gjyqësore. Do ta bëjmë atë që është e mundur, varësisht nga vendimi i gjykatës”.
Pikërisht 14 vjet burgim për qytetarin norvegjez i kishin kërkuar edhe prokurorët rusë, ndërsa dënimi maksimal për këtë vepër penale në Rusi është 20 vjet burgim, shkruan “The Guardian”.