Kremlini vazhdon t’u kundërvihet kritikëve dhe fut në listën e “agjentëve të huaj” edhe kampionin e shahut Gary Kasparov si dhe kritikuesin e Kremlinit Mikhail Khodorkovski.
Ministria ruse e Drejtësisë publikoi versionin e përditësuar të listës së saj të “agjentëve të huaj” në të cilën përfshihen edhe kampioni i shahut Gari Kasparov si dhe kritikuesi i Kremlinit Mikhail Khodorkovski. Si arsye Kremlini tha se 59-vjeçari Kasparov dhe ish-oligarku 58-vjeçar Khodorkovski i kishin financuar aktivitetet e tyre nga “burime” nga Ukrainë.
Ç’do të thotë shpallja “agjent i huaj”?
Personave të shpallur si agjentë të huaj u nënshtrohen kufizimeve dhe kërkesave të shumta. Një prej tyre është detyrimi që në të gjitha botimet e tyre ata duhet të deklarojnë statusin e tyre si “agjentë të huaj”.
Ky klasifikimi të kujton shpalljen e personave që mbanin kritikë në Bashkimin Sovjetik si “armiq të popullit” dhe përdoret gjerësisht kundër politikanëve të opozitës dhe gazetarëve kritikë ndaj qeverisë si dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut. Kremlini i akuzon ata se aktivitetet e tyre financohen nga jashtë.
Ish-kampioni i njohur botëror i shahut Kasparov është prej kohësh kritikues i presidentit rus Vladimir Putin. Ai jeton prej gati një dekade në SHBA. Kurse Khodorkovski ishte një nga biznesmenët më të fuqishëm në vitet 1990 në Rusi, përpara se në vitin 2000 të hynte në konflikt me Kremlinin e drejtuar nga Putini.
Në periudhën mes viteve 2003 dhe 2013 ai ishte në burg në Rusi, dhe në pas shkoi në mërgim. Për vite me radhë Khodorkovski mbështeti financiarish organizatën opozitare “Open Russia”, e cila u shpërbë në maj të vitit të kaluar për shkak të presionit në rritje.
Rritet presioni ndaj gazetarëve dhe intelektualëve
Që nga fillimi i agresionit dhe i luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt, nga vendi janë larguar dhjetëra gazetarë dhe pjesëtarë të elitës intelektuale të Rusisë, sepse autoritetet kanë rritur presionin ndaj zërave të fundit kritikë dhe mediave në vend. /DW/