Sa do tatohet deklarimi i pasurisë dhe kush përjashtohet

0
43

Drafti final me 12 nene, i cili përcakton mënyrën se si do të veprohet nga nisja e procesit të amnistisë fiskale dhe deri në mbylljen e tij që parashikohet të jetë për 12 muaj, është publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Në këtë draft thuhet se deklarimet do të bëhen me anë të një formulari të posaçëm. Referuar draftit bëhet me dije se cilat do të jenë shkallët e taksimit që do të aplikohen për deklarimin e të hollave ku Njësia Speciale që është një strukturë specifike që do të ngihet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të bëjë verifikimet. Sakaq, banka do të mbajë një tatim të posaçëm për rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare. Ky tatim do të variojë në bazë të kohës së deklarimit të pasurisë që nga hyrja e ligjit në fuqi dhe konkretisht, për deklarimet e të hollave në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit, tatimi do të jetë 5% të shumës totale. Nga ana tjetër, në rast se deklarimi bëhet në 4 muajt e dytë, tatimi do të jetë 7% dhe në rast se do të bëhet në 4  muajt e tretë tatimi do të jetë 10% dhe injejti sistem do të aplikohet edhe për deklarimin vullnetar të pasurive të tjera të deklaruara vullnetarisht pranë njësisë speciale.

Deklarimi vullnetar dhe riatdhesimi i pasurive

Për të kaluar në fazën e tatimit të pasurisë individi apo subjekti duhet të kalojë së pari në procesin e deklarimit vullnetar. Sipas projektligjit janë tre nene specifike që përcaktojnë deklarimin vullnetar ku së pari deklarimin e shumave në të holla, së dyti deklarimi vullnetar i pasurive të tjera që bëhet pranë njësisë speciale së treti ri deklarimi i elementëve të veçantë të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare të shoqërisë. Një tjetër nen siç është ai 13 parashikon riatdhesimin e pasurive që do të thotë se shumat në të holla që ndodhen jashtë territorit shqiptar mund të riatdhesohen duke bërë pagesën e tatimit. Një tjetër nen siç është ai 13 parashikon riatdhesimin e pasurive që do të thotë se shumat në të holla që ndodhen jashtë territorit shqiptar mund të riatdhesohen duke bërë pagesën e tatimit. “Për riatdhesimin e pasurive sipas pikës 1, subjektet e këtij ligji personalisht apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, plotësojnë formularin për deklarimin vullnetar të pasurive sipas parashikimeve të nenit 8 të këtij ligji dhe e paraqisin këtë deklarim në autoritetet përgjegjëse doganore kufitare për kryerjen e procedurave doganore, sipas legjislacionit në fuqi. Rregullat dhe mënyra e riatdhesimit të pasurive përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.  Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të riatdhesimit të pasurive nga ana e subjekteve përfituese sipas këtij ligji, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të këtyre subjekteve” thuhet në draft.

Përjashtohen nga aministia:

  • Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;
  • Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit;
  • Zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, me përjashtim të organeve të vetëqeverisjes vendore;
  • Prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve dhe kryetarët e bashkive;
  • Drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
  • Prokurorët, gjyqtarët, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror dhe drejtuesit e zyrave përmbarimore brenda juridiksionit të çdo rrethi gjyqësor të shkallës së parë;
  • Drejtuesit e institucioneve të pavarura publike dhe anëtarët e enteve rregullatore;
  • Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive vendore të Policisë së Shtetit, drejtuesi dhe oficerët e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nëpunësit civilë gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe personeli administrativ i Prokurorisë së Posaçme;
  • Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në qendër dhe qarqe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave;
  • Drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë;
  • Zyrtarët, që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta
  • Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj
  • Drejtuesit e institucioneve publike në varësi të institucioneve qendrore në nivel qarku
  • Administratorët e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe me më shumë se 50 punëtorë
  • Anëtari i institucionit të rivlerësimit (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe komisionerët publikë), Sekretari i Përgjithshëm, këshilltarët ekonomikë dhe ligjorë, si dhe personat e lidhur me to sipas ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.”.

Do të përjashtohen gjithashtu personat që i kanë mbajtur këto detyra si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.