NGA FRANO KULLI
Pas zgjedhjeve të pjesshme në gjashtë bashki të Shqipërisë, ku Partia Demokratike, në krye të së cilës, ju, zoti Basha, jeni prej tetë vjetësh nëpër nëntë, deklaruat, se “unë nuk kam humbur asnjë betejë”.
Ti nuk ke humbë asnjë betejë?!.. Nuk e di se ç’beteje suaj mund t’i shkonte kjo deklaratë, se edhe nuk dihet se ç’betejë tjetër, përveç pjesëmarrjes në fushata elektorale, ju ka rastisur të merrni pjesë, po sa për betejat elektorale, ju i keni humbur të gjitha. Po të gjitha, të gjitha. Kjo s’don mend, as kalem, e është e dukshme në dritë të diellit, zoti Basha. Fundja, numëro një që ke fituar. Se betejat o fitohen, o humben.
“M’i kanë vjedhur”, thatë ju, duke dashur të përforconi deklaratën tuaj me themele në akull dhe pohuat se do të vijoni të qëndroni përsëri në krye. (Në krye të humbjes, sigurisht). Dhe thatë se këtë do ta bëni për Shqipërinë… Po për cilën Shqipëri? Gjasme po doni me thanë se jeni kaq i dobishëm për Shqipërinë se Shqipëria s’ban pa ju? Me të vërtetë e besoni ju këtë që thoni?…
Më vjen me e përmendë jo rrallëherë një rrëfim të At Anton Harapit, i botuar in memoriam, në “Gjergj Fishta-botim përkujtimuer 1941”. Tregon padër Antoni: “Kam ndodhë vetë aty kur nji shqiptar i vjetër, tue u ankue një ditë me At Fishtën për shpërdorime të disa nënpunsave të shtetit, gadi si i dishpruem i thotë: ‘Pater Gjergj, shporru Shqipniet, persé (sepse) Shqipni nuk ka!’.
Fishta, i prekun prej shfrimit të plakut edhe i zemruem, por jo i trazuam, po don t’ia spjegojë bashkëfolësit se njerzit e shtetit s’janë Shqipnia… E atëherë plaku, për me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë Fishtës: ‘Po na s’e kemi ditë, mor zotni, veç prej jush e kemi mësue se shka asht Shqipnia…’”.
Biseda e kahershme është bërë në vitin 1923, pra, është e 99 viteve më parë, periudhë në të cilën kjo Shqipëria jonë ka kaluar nëpër tri forma të shtetit të vet të pavarur, sistemi demokratik i atyre viteve qyshkur prej vitit 1921 është mbledhë Parlamenti i parë (Asamble Kushtetuese), mbas 1924 kur vendoset regjimi monarkik, pas 1944 e deri në vitin 1990 regjimi despotik e obskurantist komunist, më i egri i regjimeve të përbotshme dhe prej andej e deri këtu, jemi në sistemin pluripartiak demokratik. Së paku, në formë kështu.
Se në thelb, si mendësi e si veprim demokratik, jemi atje ku ishim atëherë. Në 1923-shin, pra! Prijësat këtu, njerëzit e politikës e të shtetit, prapë e quajnë veten se janë Shqipëria. Dhe thonë se pa ata Shqipëria s’bën. Ani pse, ata na kanë bërë me dije prej kohësh, se janë ndër më fort faqezinjtë sesa zbardhafaqësit e Shqipërisë. Ashtu si dikur edhe sot, “rrugaçat, sallahanat, vagabondat, shakllabanat, rriqnat e ndyet, mikrobt e kqi, që të mjerës moj Shqipni, kthelltë hi i kanë n’mushkni, pa dhimbë gjakun tuj ia pi”.
E ju, zoti Basha, po na thokeni se për Shqipërinë do të jeni prapë në radhën e parë të prijësave?! Edhe pse ndër prijësat ju jeni shfaqë si udhëheqësia më e dobët e politikës krejt pak të dobishme shqiptare. Ju jeni njëri ndër dëmtorët e mëdhenj të Shqipërisë, zoti Basha. Dhe dëmi juaj i madh, më i madhi dëm që i është bërë demokracisë në Shqipëri në këtë dekadën e fundit dhe që ia keni bërë ju, është shpartallimi i opozicionit politik.
Ju, me veprimin e mosveprimin tuaj si prijësi politik, e keni gjymtuar demokracinë premature shqiptare. Dhe sot, prej kësaj ajo është më e dobët se kurrë. Shpresa e shqiptarëve sot është më e rrënuar se kurrë, shpresa për të ardhmen gati e paqenë, siguria për të e frikshme. Mungesa e opozicionit është asfiksia e sistemit demokratik, kjo është e ditur e hershme. Dhe ju jeni kontribuues shembullor për gjithsa më sipër po themi, zotëri.
Kurrë ne nuk mund të gjendeshim në këtë autokraci qeverisëse, nën dhunën e papërgjegjësisë së njëshit sot pa mbështetjen sistematike që ju, në krye të opozicionit politik, i keni dhënë asaj. Ndaj, sot, më tepër se kurrë duhet t’ia kujtojnë e rikujtojnë zotit Basha se në politikë ka hyrë me katapultë, i reklamuar si një yll, gati dy dekada më parë, por i ndriçuar prej një tjetër planeti dritërues…
Trajektorja e përvojës së tij politike ka qenë gjithnjë nën aureolën e “engjëllit të tij mbrojtës”. Fati i ka buzëqeshur si kurrkujt tjetër në demokracinë tonë, e cila po plaket e brishtë, ku hierarkinë e vlerave e bën njëshi dhe jo demos-i (populli). E gjithë karriera e tij ka kaluar, gjithherë nëpër maje; deputet dhe fill ministër, ministër, kryetar, kryetar… Gjithmonë me bekimin e engjëllit mbrojtës… Dhe kur i erdhi radha e vendimeve të mëdha gaboi. Gaboi në 2017, gaboi në 2019, gaboi në 2020-tën, gaboi në 2021. Së fundi, gaboi se deshi të këpusë fillin që e mbante lidhë me “engjëllin mbrojtës”.
I duhet kujtuar, sot më shumë se kurrë, se betejat e tij kanë qenë lojcake, kanë qenë të faluna e nuk kanë qenë kurrë beteja. Ndaj ai nuk e dallon mirë as humbjen prej fitores në betejë… Gjithsesi, kjo është punë për të e ta bëjë si të dojë. Ai dhe ata që e mbajnë. Po sa për Shqipërinë… mos rri, po ik me vrap, zoti Basha. Ti duhet të kishe ikë para se të vije, për të mirën e Shqipërisë. Unë për vedi e kam menduar e thënë këtë, me gojë e me shkrim, qysh kur ti ke ardhë.