Transferimi i Armando Sadikut në kampionatin turk nuk është thjesht një lajm merkato, që në këtë periudhë të vitit qarkullojnë me shumicë. Është një mundësi reale, aq sa palët kanë nisur negociatat për të gjetur gjuhën e përbashkët që do të finalizonte arritjen e marrëveshjes. Sipas mediave turke, Trabzonspor kërkon sulmuesin e kombëtares së Shqipërisë dhe për këtë është paraqitur te Levante me një ofertë konkrete. Pas periudhës së huazimit te Lugano, Sadiku duhet të kthehet te skuadra spanjolle, me të cilën ka një kontratë deri në vitin 2020.
Por klubi i La Liga nuk e ka në planet e tij 28-vjeçarin dhe kërkon ta shesë kartonin e tij. Kujtojmë, Levante shpenzoi 1 milion euro për të blerë kartonin e Sadikut nga Legia e Varshavës dhe tani kërkon të arkëtojë të paktën 750 mijë euro. Kjo shifër nuk është ajo që ka ndërmend Trabzonspor. Duke qëndruar në atë që raportojnë mediat lokale, klubi i Superligës turke është gati të shpenzojë 500 mijë euro për Sadikun. Po ashtu, zbardhen edhe disa detaje të kontratës që i është ofruar sulmuesit shqiptar, I cili në rast se do të firmoste, atëherë do të fitonte 750 mijë euro në sezon.