Sako, abuzim me tenderin 170 mln lekë, kryebashkiakja në gjurmët e Tushes

0
61
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, ka abuzuar me dhënien e tenderit 170 mln leke të vjetra për ‘Mbikëqyrjen e rehabilitimit të sistemit të ujërave në zonën Kënetë-Porto Romano’. Bashkia shpalli kompaninë fituese në shkelje të procedurave të prokurimit. Kompania nuk plotësonte kriterin e kapacitetit ekonomik pasi ishte krijuar në vitin 2021.

Ish-kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, është prej muajsh i arrestuar, pasi SPAK-u konstatoi se ai kishte abuzuar me një tender 240 milionë lekë të vjetra, duke shpallur fitues një kompani që nuk plotësonte kriteret.

Në të njëjtat gjurmë skandali po ecën edhe kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, e cila po synon të formalizohet në këtë post me zgjedhjet e 6 Marsit. Këtë të Enjte, Bashkia e Durrësit ka shpallur rezultatet e tenderit për ‘Mbikëqyrjen e rehabilitimit të sistemit të ujërave në zonën Kënetë-Porto Romano’, me fond limit 170 milionë lekë të vjetra.

Tenderi është fituar nga një bashkim operatorësh, me përfaqësues ‘Hydro-Eng Consulting’. Kjo kompani është krijuar në Shkurt të vitit 2021, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Në dokumentet e tenderit ishte parashikuar që operatori fitues duhet të dëshmonte kapacitetin ekonomik, nëpërmjet dorëzimit të bilanceve të tre viteve të fundit, 2018, 2019 dhe 2020.

Kompania kryesore fituese e tenderit nuk kishte asnjë mundësi reale për të plotësuar këtë kriter, pasi ajo është krijuar në vitin 2021. Një vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 2014 për Rregullat e Prokurimit Publik parashikon se secili prej anëtarëve të bashkimit të operatorëve pjesëmarrës në procedurë duhet të plotësojë kriteret e parashikuara në dokumentet e tenderit.

Duket qartë që në rastin e tenderit 170 milionë lekë të zhvilluar nga Emirjana Sako, kompania ‘Hydro-Eng Consulting’ nuk plotëson kriterin e kapacitetit ekonomik. Ajo nuk mund të dorëzonte bilancet tregtare për vitet 2018-2020, pasi në atë kohë nuk ekzistonte.

Megjithatë, me firmën e vetë Sakos, bashkimi i operatorëve, i drejtuar nga kjo kompani, është shpallur fituese, duke ofruar vlerën 169 milionë lekë të vjetra ose rreth 99 përqind të fondit limit.

Zjarr Tv Ad