Opozita do të protestojë në Tiranë më 11 shkurt. Vendimi është njoftuar mbrëmjen e kësaj të marte nga ish-kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Kryesisë. Ky do të jetë tubimi i parë i opozitës për këtë vit, që me shumë mundësi do t’i bashkohet dhe Partia e Lirisë.
“Koha është të flasë opozita. Të flasë gjer në largimin e kësaj kalbësire, nga pushteti. Gjer në largimin e këtij turpi, njeriu që ska asnjë parim, normal, moral, nder, dinjitet që nuk ka asnjë kufi në poshtërsitë e tij për të qëndruar vetë në pushtet…”, u shpreh Berisha.
Pjesë nga fjala e Kryetarit të PD, Sali Berisha:
U diskutua gjerësisht mbi situatën kritike në të cilën po kalon Shqipëria, situatë e pashembullt në ndonjë vend. Çdo shqiptar u njoh me dokumente autentike ndërkombëtare, me angazhimin e Edi Ramës në procesin e asgjësimit të pluralizmit dhe opozitës në Shqipëri.
Kryesia e PD-së mendon se sot është jetike, është vendimtare largimi i këtij armiku të egër të opozitës shqiptare nga pushteti.
Largimi sa më shpejt i Edi Ramës, i cili prej së paku 6 vitesh ka angazhuar shuma përrallore, ka angazhuar policira sekrete, ka angazhuar dhe korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së.
Ka marrë peng ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ka bërë gjithçka për asgjësimin politik të Sali Berishës, me qëllimin e vetëm, shkatërrimin e opozitës së vërtetë në Shqipëri.
Koha është në flasë opozita. Të flasë gjer në largimin e kësaj kalbësire, nga pushteti. Gjer në largimin e këtij turpi, njeriu që ska asnjë parim, normal, moral, nder, dinjitet që nuk ka asnjë kufi në poshtërsitë e tij për të qëndruar vetë në pushtet, pavarësisht se çfarë i shkakton demokracisë dhe vendit të vet.
Me datën 11 Shkurt, Shqipëria marshon drejt Tiranës, Tirana vërshon në rrugët e saj.