Kryetari i PD, Sali Berisha tha se partitë politike duhet të votojnë brenda vetes, pasi një gjë e tillë është respektimi i një norme bazë e demokracisë.
Lideri i opozitës tha se do të përgatitet një ligj që detyron partitë të votojnë për zgjedhjen e drejtuesve të tyre. Një ligj i tillë, tha Berisha, është miratuar nga Bundestagu gjerman.
“Një ligj do të përgatitet sa më shpejt, i cili do të detyrojë çdo parti politike, të respektojë normat bazë të demokracisë në jetën e saj. Ky ligj u miratua nga Bundestagu gjerman, pas daljes nga diktatura naziste dhe ky ligj ka detyruar forcat politike të harkut kushtetues të Gjermanisë, në jetën e tyre të brendshme të zbatojnë standardet demokratike.
Uroj që anëtarët dhe simpatizantët e PS-së të detyrojnë deputetë e tyre të votojnë këtë ligj, përndryshe i garantoj se ligji i parë që do të votohet pas fitores së PD-së, do të jetë ky ligj dhe se çdo forcë politike që nuk e zbaton atë do të dalë jashtë ligjit, cilado qoftë ajo”, u shpreh Berisha gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD.