Ish-kryeministri Sali Berisha sulmon Edi Ramën, pas njoftimit të Prokurorisë Speciale sot, e cila tha se kishte nisur hetimet për ish-presidentin Ilir Meta. Një kallëzim i bërë nga Halit Valteri për lobim nga Meta dhe zyrtarë të LSI, ka bërë që organi i akuzës të nisë hetimet.
Berisha thotë se SPAK është shndërruar në ankes të zyrës së Ramës. ” Edi Rama, je i pashpresë! Këto javët e fundit, i tmerruar nga fati i afërt që e pret për vjedhjet e mëdha që u ka bërë shqiptarëve…”, vijon Berisha.
Shënimi i plotë i ish-kryeministrit:
Edi Rama, je i pashpresë! Këto javët e fundit, i tmerruar nga fati i afërt që e pret për vjedhjet e mëdha që u ka bërë shqiptarëve, gjykimi dhe ndëshkimi popullor për vjedhjet e mëdha me aferat e djegësve, portit të Durrësit, Butrinit me prokurimet sekrete, PPP, bordet e çmimeve stratosferike dhe aferat e tjera që mbajnë firmën e tij, Edi Rama ka shkrirë në një të vetëm Shërbimin Informativ, Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, SPAK-un e partisë dhe i ka shndërruar në aneks të zyrës së tij.
Me qëllimin e vetëm fabrikimin, falsifikimin, manipulimin e paskrupullt të pseudo-fakteve, pseudo-dokumenteve për kundërshtarët politikë, në rastin konkret kundër kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Duke dënuar me forcën më të madhe këto akte të shëmtuara të regjimit mafioz të Edi Ramës, të bazuar në dhunimin e votës së qytetarëve, vjedhjen e papermbajtur te pasurive dhe fondeve publike, drogën dhe krimin, i them vasalit të Aleksander Vuçiç-it se je i pashpresë dhe se, nuk ka manipulim, shpifje apo falsifikim as dhe ligj i votuar nga mazhoranca kallpe që do të shpëtojë ty nga ndëshkimi i rëndë popullor. Ti dhe shteti yt mafioz njëpartiak do të keni fundin e merituar! sb