Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar me kritika ndaj qeverisë Rama në lidhje me çmimet e karburanteve.
Ai është ndalur tek çmimi i naftës, duke thënë se në bursë ka pasur një rënie këtë javë, por në Shqipëri ka ndodhur e kundërta.
Më tej Salainji shkruan se vendit i duhet një qeveria e cila kujdeset për qytetarët e vet dhe ndalon me ligj krijimin e monopoleve që dëmtojnë ekonomitë familjare dhe bizneset!
Postimi i plotë i Ervin Salianjit:
Çmimi i naftës në bursë ka pasur rënie pikiatë këtë javë, në Shqipëri çmimi vazhdon në çmime stratosferike duke mos reflektuar rënien e çmimit në bursat ndërkombëtare. Kur ka rritje reflektohet menjëherë si me buton! Më përpara faji vendosej sa qeverisë, sa oligarkëve, ndërsa prej muajsh me krijimin e bordit të përbashkët faji është i marrëveshjeve kartel dhe bashkëpunimit të tyre me qeverinë!
Ky çmim nafte që ka sot Shqipëria po ta krahasosh me vendet e Evropës për fuqinë blerëse dhe pagat mesatare është njësoj sikur në Evropë të përballohej një çmim prej 15 eurosh për litër, ndërkohë që vetëm pak vende e kanë më shtrenjtë se ne!
Shqipëria ka nevojë për qeveri që kujdeset për qytetarët, që garanton tregun e lirë nëpërmjet konkurrencës së ndershme dhe ndalon me ligj krijimin e monopoleve që dëmtojnë ekonomitë familjare dhe bizneset!