Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi kanë bojkotuar sërish mbledhjen e Kryesisë së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të thirrur nga Enkelejd Alibeaj.
Burime për mediat bëjnë me dije se në mbledhja po zhvillohet vetëm mes Alibeajt, Orjola Pampurit si nënkryetare e PD dhe Sekretarit të Grupit Parlamentar, Arbi Agalliut. Mbledhja ishte programuar për të premten e kaluar, por mungesa e Salianjit dhe Boçit bëri që të shtyhej për sot. Pavarësisht se Agalliu tha se kishin dakordësi, dy deputetët që kanë dalë kundër Alibeajt nuk kanë qenë sërish të pranishëm.
Mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD-së janë shoqëruar gjithmonë me debate të forta mes Alibeajt dhe Berishës, për shkak se ky i fundit është përjashtuar nga Grupi në 9 shtator, pas vendimit të Lulzim Bashës, ndërkohë që është shpallur edhe “non grata” nga SHBA.
PD është e përçarë në 3 grupe, pasi përveç deputetëve që mbështesin Alibeajn dhe atyre që mbështesin Berishën, janë edhe një grup tjetër asnjëanës, të cilët nuk kanë marrë pjesë as në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, por as në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit nuk është shumë larg, ndaj mosdakordësia në PD mund të bëjë që Partia Socialiste ta zgjedhë e vetme kreun e shtetit, pasi i ka votat e mjaftueshme. Bashkëpunimi me “Rithemelimin” nuk është një opsion për mazhorancën, pasi vetë kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë negociatë me Sali Berishën.