Kryetari i PD, Sali Berisha, u ndal në Kuvend edhe te Samiti i Ohrit dhe përqeshja që i bëri kryeministri Edi Rama viktimave të luftës në Kosovë.
“Shkon në Ohër, shkelmon mbi jetën, vdekjen, gjakun dhe sakrificat e 12 mijë shqiptarëve në Kosovë. Ky është padroni i gjakut të tyre. Po ç’të drejtë ka ky, të flasë në emër të të vdekurve në Kosovë? Çfarë të drejte ka kryeministri i Shqipërisë, në një akt çnjerëzor, të krahasojë viktimat e gjenocidit serb me ata të agresorëve të Luftës së Dytë Botërore? Po çfarë agresioni ka kryer Kosova?
Çfarë njeriu është ky? Ai bën gjithçka si skllav i Vuçiçit. Mirë ai që nuk ka ndjeshmëri, se është arkitekt i gjenocidit, po ky çfarë ka? Pse i kërkohet Kosovës të mbështesë Ballkanin e Hapur, kush nga ju e ka harruar Samitin e Novisadit dhe hartën që nxori ky, ku nuk përfshihej Kosova?
Qytetarë shqiptarë, a do vazhdojmë të pranojmë një njeri si ky, i cili vetëm me vjedhjet e tij dhe të klikës së tij, ndikon dhe rrit çmimet në stratosferë. A do vazhdojmë të pranojmë këtë njeri, që u mashtron nga mëngjesi deri në darkë?
A do pranojmë këtë njeri që shkelmon mbi gjakun, vetëm fëmijë të masakruar në Kosovë janë 1400? A ka fëmijë ky njeri? A është njeri ky moj zonjë se ti je avokatja më e zjarrtë? Janë 1400 fëmijë të vrarë, të therur, të djegur të gjallë në Kosovë. Ku e ka ky autoritetin që t’i krahasojë me viktimat e agresorëve të Luftës së Dytë Botërore.
Pse e përdhos parlamentin me qëllime të tilla? Kush të lejon ty të falësh gjakun e tyre? Çfarë lidhje ke ti me ta? Janë 1400 fëmijë, shpirtrat e të cilëve kërkojnë drejtësi,” tha Berisha.