Sandër Lleshaj “zhduket” nga Ministria e Brendshme, urdhëron punonjësit që të japin dorëheqjen/ I kërkon kryeministrit Rama një tjetër post

0
3

Kur kanë kaluar dy vite që kur kryeministri Edi Rama komandoi në krye të Ministrisë së Brendshme Sandër Lleshajn, një personazh me profil të ulët publik, duket se marrëdhëniet politike mes kreut të qeverisë dhe ‘gjeneralit’ janë krisur tashmë.

Lleshaj mori goditje politike nga Kryeministri teksa nuk u caktua si drejtues politik në Qarkun e Lezhës për zgjedhjet që po vijnë, po në vend të tij, Rama preferoi Lindita Nikollën.

Pas dorëheqjes së ministres së Arsimit Besa Shahini, i dyti në radhët e kabinetit qeveritar që filloi të përflitej për largim ishte “gjenerali” Lleshaj, madje këtë gjë e paralajmëroi edhe vetë ministri në një vizitë në Vlorë.

“Nuk do jem i përhershëm në qeveri, është e sigurt se s’do të jem më ministër. Asnjë nuk është i përhershëm në një post.”- tha Lleshaj gjatë një ceremonie me forcat Shqiponja në Vlorë.

Burime për Faxweb bëjnë me dije korridoreve të Ministrisë së Brendshme flitet se Sandër Lleshaj ka dorëzuar dorëheqjen, madje ai nuk është parë prej dy ditësh në zyrën e tij.

Faxweb mëson se Lleshaj u ka kërkuar disa punonjësve që të japin dorëheqjen, por ka qenë kryeministri Edi Rama i cili ka ndërhyrë duke urdhëruar që mos të largohen nga detyrat e tyre.

Në këto kushte, numri i një i Rendit, është spostuar në vendimarrje, duke u pozicionuar pas kreut të qeverisë edhe në ministrinë që ai drejton, pasi komandat poshtë ministrit i jep Edi Rama, gjë që e ka dobësuar reputacionin e Lleshajt.

Madje po të njëjtat burime mësojnë se Lleshaj ka kërkuar që të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes, por kryeministri Edi Rama heziton që ta emërojë në këtë institucion.

Mungesa e tij mund për disa ditë në zyrë mund të arsyetohet edhe me arsye personale, apo vizita zyrtare të paparalajmëruar, siç isha vizita e fshehur pak ditëve më parë në Liban, por burime bëjnë me dije se këtë herë Lleshaj ka vendosur që ta lërë pozicionin e tij.

Kujtojmë se midis kreut të qeverisë dhe Lleshaj përflitej prej muajsh për një ngrirje të marrdhënies së tyre, e cila filloi që pas shpërthimit të pandemisë së Covid-19, ku Rama e shkarkoi nga drejtimi i Autoritetit Civil.

Pas kësaj një sërë përplasjesh të tjera vijuan mes “gjeneralit” Lleshaj dhe kreut të qeverisë, të cilat siç duken e kanë detyruar të dorëzojë dorëheqjen.