Schutz: Liria e shtypit dhe e medias shumë e rëndësishme në procesin e pranimit

0
0

Sussane Schutz, drejtoresha gjermane për Ballkanin Perëndimor kërkon nga Shqipëria të avancojë me reformat dhe të garantojë lirinë e medieve vendase nëse synon vërtet integrimin në BE dhe demokracinë. Ish-ambasadorja e Gjermanisë mendon se gjyqësori është pjesërisht jofunksional.

Gjermania muajin e kaluar mori përsipër presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian dhe tashmë pret progres konkret politik nga Shqipëria për sa i përket negociatave me Brukselin.

Ish-ambasadorja gjermane në Tiranë, Sussane Schutz, aktualisht drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme gjermane, thotë se reformat në sistemin e drejtësisë si edhe reforma në ligjin zgjedhor janë identifikuar si kushte prioritare nga Gjermania dhe BE-ja.

Në një intervistë për portalin investigativ “Balkan Insight”, Schutz pranon se reforma në drejtësi apo vetingu mbeten sfidë edhe pse të miratuara katër vite më parë, duke e bërë pjesërisht jofunksionale shtyllën legale të vendit.

Është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili ka çuar përkohësisht edhe në një mosfunksionim të pjesshëm të gjyqësorit. Megjithatë, ne jemi të bindur se nuk ka asnjë alternative për këtë proces thelbësor. Pasi të përfundojë, sundimi i ligjit në Shqipëri do të forcohet në të mirë të popullit shqiptar.”

Reforma zgjedhore është një tjetër kërkesë e Brukselit që ka mundur të marrë zgjidhje vetëm së fundmi, por për Gjermaninë shqetësim mbetet qasja e qeverisë shqiptare ndaj medies, dhe përkatësisht projektligji i saj për rregullimin e hapësirës informative digjitale, të faqeve online.

Ish-ambasadorja Schutz e sheh lirinë e medieve si themel të demokracisë, dhe se legjislacioni i ri dhe mungesë e organeve të pavarura në rastin e AMA-s, shkojnë përkundër kësaj fryme.

“Raporti i fundit i përkohshëm i Komisionit Europian me të drejtë e cilësoi projektligjin si si të mangët në fusha të caktuara dhe jo plotësisht në përputhje me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira në lidhje me lirinë e shtypit dhe medias. Përmirësimi i ligjit në këto aspekte do të ishte një hap inkurajues në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.”

Kapitulli 23 për sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, së bashku me lirinë e medies, shihet si një nga dy kapitujt më të rëndësishëm që pritet të përcaktojë ritmin e avancimit të Shqipërisë drejt familjes europiane.

Për rajonin, ndërkaq, Gjermania dhe Brukseli do vijojnë ta mbështetin sidomos tani në këtë periudhë pandemie, por edhe për temat si emigracioni teksa sfidë e ngutshme mbetet edhe progresi i dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin Berlini shfaqet i vendosur ta përmbyllë së shpejti