Schütz: Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë

0
23
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në prag të protestës kombëtare antiqeveritare të opozitës, që do të zhvillohet të premten në mbrëmje ( 21.06)me kërkesë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe rrëzimin e qeverisë së tij, Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz e quan atë legjitime dhe bën thirrje që ” Shqipëria të mos humbasë kohë në ngritjen e institucioneve të reformuara të drejtësisë.

“Shqipëria gjendet përpara vendimmarrjes së rëndësishme të Bashkimit Europian lidhur me nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ndaj tani nuk duhet humbur kohë, në mënyrë që reformat e nisura të vijojnë më tej dhe të arrihen rezultate të tjera konkrete në pesë prioritetet kyçe. Përshëndes faktin që – edhe pse ngadalë – reforma në drejtësi po ecën përpara në mënyrë të pandërprerë. Ajo është një sukses; ndaj procesit të reformave nuk ka alternativë, ai është i pakthyeshëm dhe unik në rajon. E rëndësishme është që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, si instrumenta të rëndësishëm korrektivë të shtetit ligjor, të mund të jenë së shpejti sërish funksionale. Në këtë kontekst përpara duhet të çohet edhe ngritja e strukturës së SPAK-ut.” thekson ajo.

Për të garantuar siguri ligjore. ” Presim hapa të tjerë përpara edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto përpjekje janë të rëndësishme për të bindur shqiptaret dhe shqiptarët, por edhe investitorët e huaj, që drejtësia shqiptare garanton siguri ligjore” thekson Ambasadorja Schütz.

Ambasadorja Schütz e cilëson atë legjitim Parlamentin aktual, të formuar pas heqjes dorë në bllok të opozitës nga mandatet e saj parlamentare në shkurt të këtij viti dhe marrjes së mandateve të deputetit prej KQZ-së nga kandidatët për deputetë të PD dhe LSI, në listat e këtyre dy partive, që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare 2017. Ambasadorja gjermane thekson:  “Respektojmë vendimin e secilit deputet dhe të pasuesve të tyre në lista për dorëzimin, pranimin apo refuzimin e mandateve. Njëkohësisht, theksoj, se në demokraci parlamenti është vendi kryesor për zhvillimin e debatit politik mes partive politike. Qeveria Federale do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me qeverinë aktuale të legjitimuar në mënyrë demokratike si dhe mbajtësit e mandateve në Kuvend.

Për ndërtimin e një sistemi solid zgjedhor “Shprehim keqardhjen e madhe, që megjithë bashkëpunimin fillimisht të mirë mes shumicës dhe opozitës, reforma zgjedhore deri më tani nuk është miratuar. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbetet një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi zgjedhor solid në Shqipëri, i cili do mund të gëzojë besimin e qytetarëve” përfundon deklarata.

 

Zjarr Tv Ad